Një organizatë jofitimprurëse me seli në Berlin ka ngritur një padi penale kundër syzeve inteligjente të Metës, duke argumentuar se pajisjet shkelin rregullat strikte të privatësisë të Gjermanisë dhe duhet të ndalohen.
Shqetësimet për privatësinë në lidhje me pajisjen janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit, për shkak të raportimeve për njerëz që filmohen pa pëlqimin e tyre, ose që regjistrojnë pamje intime pa e ditur se ato mund të rishikohen nga kontraktorët e Meta.
Organizata jofitimprurëse HateAid po argumenton se shitja e syzeve inteligjente Meta në Gjermani është një vepër penale sepse pajisjet u lejojnë përdoruesve të filmojnë fshehurazi njerëz të tjerë.
Padia, e cila pretendon se shitja shkel Aktin e Telekomunikacionit, Shërbimeve Dixhitale dhe Mbrojtjes së të Dhënave të Gjermanisë, u ngrit kundër Meta, Ray-Ban dhe Oakley, marka syzesh që kanë bashkëpunuar me Metën për të dizajnuar syzet dhe disa shitësve me pakicë.
Zëdhënësi i Meta, Matthew Pollard, tha se syzet inteligjente u miratuan nga rregullatori gjerman BNetzA në vitin 2022 dhe “u ndërtuan me mbrojtje të privatësisë që nga themelet, të cilat shkojnë përtej asaj që ofron çdo telefon inteligjent”.
Ato përfshijnë një dritë LED që ndizet kur syzet janë duke regjistruar, si dhe teknologji për të ndaluar këdo që të ndërhyjë në dritë.
HateAid tha se syzet inteligjente duhet të shiten vetëm nëse janë qartësisht të identifikueshme dhe se duhet të ketë kufizime në regjistrimin në hapësira të caktuara, siç ndodh me kamerat në makinë ose kamerat në trup.
Rregullatorët e privatësisë në Evropë kanë porositur një raport mbi syzet inteligjente, i cili pritet të finalizohet këtë verë.



