Kina po përgatit një plan emergjence për të sjellë në atdhe tre astronautët e bllokuar në stacionin hapësinor Tiangong pasi kapsula e tyre e rikthimit në atmosferë, Shenzhou-20, u godit nga mbeturinat hapësinore javën e kaluar, thanë burime të njohura me programin hapësinor me ekuipazh, sipas South China Morning Post.
Sipas informacioneve të siguruara, një kapsulë e re, Shenzhou-22, fillimisht e menduar për rotacionin e ardhshëm të ekuipazhit, po pajiset në qendrën e lëshimit Jiuquan në shkretëtirën Gobi, duke transportuar furnizime dhe materiale për misionin e rimëkëmbjes.
Zyra e Programit Hapësinor të Pilotuar (CMSE) njoftoi të martën se kishte aktivizuar menjëherë planet dhe masat e emergjencës, në përputhje me parimin “jeta mbi të gjitha, siguria e para”, gjithsesi pa specifikuar në mënyrë të qartë se cili do të jetë plani operativ.
Shenzhou-20, pavarësisht dëmtimit, konsiderohet i sigurt në orbitë. Por rihyrja në atmosferë përfshin nxehtësi ekstreme dhe stres të rëndë, prandaj shpjegojnë burimet, ekipi vendosi të mos marrë asnjë rrezik.
Plani aktual parashikon që Shenzhou-20 të kthehet në Tokë pa ekuipazh.



