Një shpërthim i fuqishëm i raketës pa pilot Blue Origin “New Glenn” në një platformë lëshimi në Florida, SHBA, ka tronditur industrinë hapësinore amerikane dhe ka përfaqësuar një goditje të rëndë për ambiciet e miliarderit Jeff Bezos për të konkurruar seriozisht me SpaceX të Elon Musk.
Incidenti ndodhi gjatë një prove statike të motorëve (“hot-fire test”) në Cape Canaveral, Florida, ku raketa shpërtheu vetëm pak sekonda pas ndezjes së motorëve, duke krijuar një top gjigant zjarri dhe re të dendura tymi që u panë në të gjithë zonën.
Sipas kompanisë, nuk pati të lënduar pasi zona ishte evakuuar paraprakisht, ndërsa Blue Origin e përshkroi ngjarjen si një “anomali”, term që zakonisht përdoret në industrinë hapësinore për të shmangur termin dështim ose shpërthim.
Video të publikuara nga media të specializuara në hapësirë tregojnë momentin kur flakët nisën në bazën e raketës përpara se shpërthimi të përfshinte të gjithë strukturën.
Raketa “New Glenn”, një projekt shumëvjeçar me vlerë miliarda dollarë, konsiderohet arma kryesore e Blue Origin në garën kundër SpaceX.
Ajo ishte planifikuar të përdorej për lëshimin e 48 satelitëve të projektit “Kuiper” të Amazon, i cili synon të rivalizojë rrjetin satelitor Starlink të Elon Musk. Megjithatë, satelitët nuk ndodheshin në bord në momentin e testit.
Ky është një tjetër problem serioz për programin “New Glenn”, i cili ka pësuar vonesa të shumta gjatë dekadës së fundit.
Vetëm muajin e kaluar, një mision i raketës dështoi pasi një defekt teknik bëri që një satelit të vendosej në orbitë të gabuar, duke nxitur hetime nga Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA).
Shpërthimi ndodhi vetëm disa ditë pasi NASA i dha Blue Origin një kontratë prej 188 milionë dollarësh për zhvillimin e teknologjive të uljes në Hënë si pjesë e programit Artemis.
Kompania e Jef Bezos synon të luajë një rol të rëndësishëm në rikthimin e astronautëve amerikanë në Hënë, por incidenti i fundit mund të shkaktojë vonesa të mëdha dhe kosto shtesë për projektin.
Vetë Jeff Bezos reagoi publikisht pas incidentit duke deklaruar se kompania do të rindërtojë gjithçka që është dëmtuar dhe do të vazhdojë programin hapësinor.
“Është shumë herët për të ditur shkakun e saktë, por po punojmë tashmë për ta zbuluar. Ishte një ditë shumë e vështirë, por do të rikthehemi,” shkroi ai në rrjetin social X.
Ndërkohë, edhe Elon Musk reagoi shkurtimisht për incidentin duke shkruar: “Raketat janë të vështira”, një koment që shumë e interpretuan si një shenjë solidariteti mes rivalëve të industrisë. SpaceX vetë ka përjetuar shpërthime spektakolare gjatë zhvillimit të raketës Starship, por kompania e Musk ka arritur të dominojë tregun global të lëshimeve orbitale falë ritmit të lartë të testimeve dhe teknologjisë së ripërdorimit të raketave.
Shpërthimi i “New Glenn” vjen në një moment kritik për Blue Origin, ndërsa SpaceX vazhdon të zgjerojë epërsinë e saj teknologjike dhe financiare. Analistët e industrisë besojnë se ky incident mund ta ngadalësojë ndjeshëm përpjekjen e Bezos për të mbyllur hendekun me kompaninë rivale të Elon Musk.



