Në një deklaratë të fundit, Donald Trump ka bërë të ditur se bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit mund të rifillojnë shumë shpejt, ndoshta brenda dy ditëve të ardhshme në Islamabad.
Ai theksoi se ka gjasa të kthehen në tryezën e negociatave falë ndërmjetësimit të Pakistanit.
Trump vlerësoi veçanërisht rolin e shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, duke e cilësuar atë “fantastik” për organizimin e bisedimeve.
Raundi i parë i negociatave gjatë fundjavës përfundoi pa marrëveshje, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se Irani nuk dha garanci të mjaftueshme për programin bërthamor. Megjithatë, sinjalet për një raund të ri kanë rritur shpresat për përparim.
Ndërkohë, tensionet mbeten të larta pas vendosjes së një bllokade detare nga SHBA dhe mbylljes së pjesshme të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një rrugë kyçe për furnizimin global me naftë.
Zyrtarët paralajmërojnë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse palët do të arrijnë një kompromis apo do të thellohet më tej kriza.



