Mijëra pjesëtarë të ushtrisë amerikane që kanë kaluar më shumë se 250 ditë në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln thuhet se po përballen me mungesa të furnizimeve bazë, probleme hidraulike, lodhje dhe vështirësi të tjera, raporton BBC.
Raportimet kanë nxitur ligjvënësit amerikanë t’i kërkojnë përgjigje Pentagonit dhe të ngrenë shqetësime për ritmin e operacioneve ushtarake të SHBA-së.
Mediat ushtarake kanë raportuar gjithashtu se disa marinarë në bordin e anijes kanë shfaqur probleme serioze të shëndetit mendor, ndërsa familjarë të tyre kanë pretenduar se disa prej tyre kanë menduar edhe të hidhen në det.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cilësoi të enjten raportimet për kushtet në anije si “krejtësisht të keqinterpretuara”.
USS Abraham Lincoln u nis nga Kalifornia në nëntor, fillimisht drejt Detit të Kinës Jugore, përpara se të dërgohej në Lindjen e Mesme në kuadër të operacioneve ushtarake.
Dislokimi, i cili fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në maj, është zgjatur disa herë. Deri tani nuk është njoftuar një datë përfundimtare kthimi, ndërsa disa media raportojnë se SHBA-ja po përgatitet ta zëvendësojë anijen me USS George Washington, në kuadër të një rotacioni të planifikuar.
Në një letër drejtuar Hegseth, senatori demokrat i Connecticut, Richard Blumenthal, renditi një sërë problemesh të raportuara në bordin e anijes, ku ndodhen rreth 5,000 persona.
“Mungesa të furnizimeve bazë, ndotje e ujit, probleme hidraulike, përkeqësim i shëndetit mendor, shqetësime për sigurinë në kuvertë dhe ndërprerje në sistemin postar, të cilat kanë bërë që shumë pako kujdesi në rrugën për në anije të humbasin gjatë tranzitit për muaj të tërë”, shkroi ai.
Blumenthal, i cili është anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, tha se këto raportime kërkojnë vëmendje të menjëhershme dhe ngritën pikëpyetje nëse Marina amerikane mund të përballojë ritmin operacional që po i kërkohet flotës së saj të aeroplanmbajtëseve.
Edhe senatori demokrat Ruben Gallego kërkoi që ushtria të lejojë një delegacion të Kongresit të vizitojë anijen dhe të kryejë një hetim mbikëqyrës mbi kushtet në bord.
Ndërkohë, CBS News, duke cituar dy zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, raportoi se në fillim të këtij muaji një marinar kishte përfunduar në det dhe ishte nxjerrë me helikopter.
Ai ishte trajtuar fillimisht nga personeli mjekësor në anije dhe më pas ishte transferuar për kujdes të mëtejshëm. Rrethanat e incidentit janë ende nën hetim.
Military Times dhe Stars and Stripes kanë raportuar gjithashtu se disa pjesëtarë të ekuipazhit kishin menduar për vetëvrasje duke u hedhur në det, bazuar në deklarata të familjarëve të tyre.
ipas këtyre raportimeve, qëndrimi i zgjatur në det dhe kushtet në bord po ndikonin në shëndetin mendor të disa pjesëtarëve të ekuipazhit.
Problemet e raportuara përfshijnë gjithashtu vështirësi në larjen e rrobave, mungesë të ushqimit të freskët për periudha të gjata dhe kufizime për daljen në portet ku anija ndalon.
Kongresmeni demokrat nga Kalifornia, Mike Levin, i përshkroi në rrjetin social X disa prej problemeve të raportuara si “dushe me myk, tualete të prishura, rroba të palara për javë të tëra, periudha të gjata pa ujë të nxehtë” dhe mungesë të produkteve bazë të higjienës.
Megjithatë, një zyrtar i Marinës amerikane i tha BBC-së se autoritetet nuk kishin konstatuar rritje të rasteve të raportuara të mendimeve apo përpjekjeve për vetëvrasje në bordin e anijes.
I njëjti zyrtar tha se “qendrat tradicionale të furnizimit” ishin ndërprerë për shkak të operacioneve ushtarake, duke ndikuar në zinxhirin e furnizimeve të anijes.
Një studim i 956 marinarëve i publikuar në janar 2025 zbuloi se trupat në bordin e anijeve të Marinës Amerikane vuajnë nga nivelet më të larta të "shqetësimit serioz psikologjik" në krahasim me degët e tjera të ushtrisë amerikane.
Studimi përmendi "faktorë unikë stresues, siç janë banueshmëria e dobët, zhurma dhe oraret e ngarkuara që lënë kohë të pamjaftueshme për gjumë dhe pushim".



