Ishte një marrëveshje që tronditi botën e NBA-së, jo vetëm për shifrën rekord, por edhe për shpejtësinë me të cilën u realizua.
Shitja e Los Angeles Lakers për 12.5 miliardë dollarë u finalizua brenda vetëm një fundjave, njofton BBC.
Lajmi u bë publik të mërkurën, kur u raportua se Josh Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, së bashku me ish-drejtuesin ekzekutiv të Disney, Bob Iger, po udhëheqin grupin që synon të blejë shumicën e aksioneve të një prej ekskluziviteteve më ikonike të sportit botëror.
Kushner veproi me shpejtësi. Vetëm të premten e kaluar, ai iu drejtua Mark Walter për shumicën e aksioneve të Lakers, të cilat Walter i kishte blerë vetëm një vit më parë. Palët nisën menjëherë negociatat dhe arritën marrëveshjen në një kohë rekord.
Nëse miratohet nga Bordi i Guvernatorëve të NBA-së, transaksioni do të bëhet shitja më e shtrenjtë e raportuar ndonjëherë për një ekip sportiv.
Për Walter, marrëveshja nënkupton një fitim prej rreth 2.5 miliardë dollarësh nga investimi i tij, vetëm një vit pasi mori kontrollin e Lakers.
Walter nuk kishte shfaqur më herët publikisht interes për të shitur aksionet e tij kontrolluese në ekskluzivitet. Po ashtu, sipas raportimeve, lëvizja e Kushner nuk lidhet me dështimin e planit të diskutueshëm të investimeve të FIFA-s për Kupën e Botës.
Thrive Capital, firma amerikane e kapitalit sipërmarrës e themeluar nga Kushner, pritej të drejtonte grupin e investitorëve për propozimin FIFA Forward Enterprise, përpara se ky plan të braktisej.
Shpejtësia me të cilën u realizua marrëveshja e Lakers ka shtuar edhe më shumë habinë në Shtetet e Bashkuara.
Kur ESPN publikoi lajmin të mërkurën, reagimet ishin të menjëhershme. Drejtues të NBA-së, persona pranë ligës dhe figura të njohura të sportit u shprehën të befasuar nga një transaksion i tillë.
Lakers ishin vlerësuar me rreth 10 miliardë dollarë në qershor të vitit 2025, një shifër që në atë kohë përbënte rekord për një ekip sportiv.
Shifra prej 12.5 miliardë dollarësh e vendos shitjen e Lakers në një nivel të ri në tregun global të sportit.
Ajo tejkalon ndjeshëm vlerën prej 6.1 miliardë dollarësh të Boston Celtics, kur aksionet kontrolluese të klubit ndryshuan pronarë vitin e kaluar.
Marrëveshja është gjithashtu më shumë se trefishi i shumës prej 4 miliardë dollarësh që Mat Ishbia pagoi për Phoenix Suns në vitin 2023.
Lakers tejkalojnë gjithashtu vlerën prej 9.6 miliardë dollarësh të paguar për Seattle Seahawks të NFL-së muajin e kaluar.
Edhe në krahasim me klubet më të mëdha të futbollit europian, shifra është marramendëse.
Konsorciumi i drejtuar nga Todd Boehly pagoi 2.5 miliardë paund për Chelsea-n në vitin 2022, ndërsa vlera totale e marrëveshjes, përfshirë investimet e tjera të detyrueshme, arriti në 4.25 miliardë paund.
Pas njoftimit për shitjen, Mark Walter e cilësoi pronësinë e Lakers si “një nga nderet e mëdha” të jetës së tij dhe e përshkroi investimin si “të jashtëzakonshëm”.
Arsyet e shitjes së papritur mbeten ende të paqarta.
Walter po përballet me një hetim federal që lidhet me kompaninë e tij Delaware Life, por nuk ka asnjë të dhënë që ky hetim të ketë ndikuar në vendimin për shitjen e Lakers.



