Në Campania, në jug të Italisë, zona e njohur si “Toka e Zjarreve” vazhdon të vuajë pasojat e dekadave të ndotjes kriminale. Deponitë e paligjshme, zjarrët toksikë dhe rritja e sëmundjeve po shënojnë jetët e banorëve të zonës, të cilët janë të zemëruar dhe të pafuqishëm ndaj situatës.
Mes Napolit dhe Casertas ndodhet një territor me famë të keqe, i njohur edhe si “Treugji i Vdekjes”. Në këtë zonë me afro tre milionë banorë, shkalla e kancerit është nga më të lartat në Itali.
Për dekada, mbeturinat toksike, industriale, kimike dhe ndonjëherë radioaktive, janë groposur, djegur ose hedhur në mënyrë të paligjshme, kryesisht nga Camorra, mafia lokale, e ndihmuar nga rrjete ekonomike dhe institucionale.
“Shteti u shiti Camorrës, biznesmenëve të korruptuar, gjyqtarëve të korruptuar. Kështu lindi Toka e Zjarreve,” thotë gazetarja hetuese Marilena Natale, e cila jeton nën mbrojtje policore pas kërcënimeve për vdekje nga mafia.
Edhe pse disa rrugë trafiku janë zhvendosur, deponitë ilegale dhe zjarrët e paligjshëm vazhdojnë, duke çliruar tym toksik dhe duke shkaktuar pasoja shëndetësore të rënda.
“Në Itali, një mjek familjar me 1,500 pacientë sheh mesatarisht nëntë raste kanceri në vit. Unë kam tashmë pesëmbëdhjetë,” thotë Luigi Costanzo, mjek familjar në Frattamaggiore, në zemër të Tokës së Zjarreve.
Sipas Euronews,ndotja e tokës, ujit dhe ajrit ka shkaktuar gjithashtu sëmundje të frymëmarrjes, sëmundje degjenerative, infertilitet dhe deformime kongjenitale. Autoritetet italiane e njohën zyrtarisht ndikimin shëndetësor të kësaj ndotjeje kriminale vetëm në vitin 2021.
Marzia Cacciopoli tregon tragjedinë e familjes së saj: “Djali im u vra në heshtje nga një Shtet që e dinte.”
Djali i saj, Antonio, vdiq në 2014 në moshën 9 vjeç e gjysmë nga një tumor në tru. Ajo dhe familjet e tjera e çuan çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në janar të këtij viti, Gjykata dënoi Italinë për veprime të zvarritura dhe rrezikimin e jetës së banorëve, duke urdhëruar qeverinë të zbatojë një plan veprimi mjedisor, përfshirë monitorim të pavarur dhe një platformë publike informacioni.
Një komisioner i veçantë, i emëruar në shkurt, koordinon pastrimin dhe sigurimin e qindra zonave të kontaminuara. Por afatet e zgjatura – deri në dhjetë vjet dhe financimi i pamjaftueshëm po rrisin zemërimin publik.
Si përgjigje, banorët dhe aktivistët mbeten të mobilizuar përmes kolektiveve të shumta, si asociacioni Le Mamme di Miriam, i krijuar nga nëna e një vajze që shpëtoi nga një kancer i rrallë i sistemit nervor. Ata patrullojnë zonën për të dokumentuar deponitë ilegale dhe për të detyruar autoritetet të ndërmarrin veprime.
“Nuk u besoj më institucioneve që na braktisën,” thotë Antonietta Moccia, ndërsa Anna Lo Mele, presidentja e asociacionit, shton: “Na lanë të vdesim dhe vazhdojnë të na lejnë të vdesim. Kjo është ekocid.



