Prokuroria italiane ka zgjeruar hetimet për grupimin e personave që kundrejt pagesës shkonin në Bosnje, gjatë gjenocidit në fillimvitet ‘90, për të vrarë njerëz kundrejt pagesës.
“Regjistrimet për Italinë bëheshin pranë një agjencie në Milano. Kjo agjenci kishte kontakte me agjenci të tjera evropiane, madje edhe në SHBA”, thotë dëshmitari me pseudonimin “francezi”.
Personi në fjalë është një ndër shoqëruesit e të ashtuquajturave klientë të agjencisë italiane. Pseudonimi që përdorej për këta persona ishte “Shigjetarët që gjuanin drerë”. Sipas të dhënave, pagesa më e lartë që bëhej ishte për të vrarë me snajper fëmijët, pastaj gratë, burrat dhe të moshuarit. Të gjitha ngjarjet janë zhvilluar kur forcat serbe kishin rrethuar Sarajevën, nga viti 1992 deri më 1995-ën.
Dëshmitë e mbledhura lidhin "një firmë të madhe sigurie belge, me një degë në Londër, me një kompani italiane".
"Nga Italia niseshim me minibus nga një magazinë në “Via Mecenate”, në Milano për në Beograd. Në Slloveni dhe Kroaci hynim me minibus. Qëndronim jo më shumë se gjashtë orë për të zhvilluar aktivitetin, pastaj ktheheshim në Itali. Ose flinim një natë atje dhe ktheheshim në Milano të nesërmen në mëngjes. E gjitha kjo zgjaste një të shtunë dhe një të dielë", thotë dëshmitari me pseudonimin “francezi”.
Një sipërmarrës në fushën e mediave, i paidentifikuar, shpenzoi 340 milionë lireta asokohe për një fundjavë si vrasës me snajper i fëmijëve dhe grave myslimane në Sarajevë. Deri më tani, tre persona janë në hetim nga prokuroria e Milanos – një shofer minibusi, vrasësi nga një qytet në Italinë qendrore dhe një sipërmarrës Lombard.
"Mbaj mend që shoqëroja një sipërmarrës shumë të famshëm italian, i cili ende del ndonjëherë në televizion. Kur arritëm na u desh të korruptonim edhe dy çetnikë serbë që dolën nga shkurret dhe u shfaqën pas nesh pa e vënë re. Ishte një nga ato raste kur ndjeva gjakun të më ziente nga frika. Çetnikët me një AK-47 në duar nuk ishin shaka. Shumë fanatikë, shumë brutalë, shumë nacionalistë, shumë të zënë me luftën dhe detyrat e tyre", thotë dëshmitari me pseudonimin “francezi” .
Sipas dëshmive të mbledhura, kur Sarajeva u rrethua plotësisht nga serbët, lista e personave që kërkonin të shkonin për të vrarë civilë me snajper u zgjerua. Mostari, Tuzla, Srebrenica ishin në listën që ushtarët serbë jepnin leje për të qëlluar mbi civilët. Sipas të dhënave të mbledhura, vrasësit merrnin me vete si trofe gëzhojën që kishin qëlluar - blu ose rozë për një djalë ose vajzë; e kuqe për një burrë; e kuqe dhe jeshile për një ushtar; e verdhë për një grua; e verdhë dhe jeshile për një ushtare femër; e zezë dhe blu për një burrë të moshuar, e zezë dhe rozë për një grua të moshuar.



