Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se bisedimet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara që do të mbahen të enjten në Gjenevë janë pjesë e përgatitjeve për një takim të mundshëm trepalësh me Rusinë.
Në komente të mëtejshme mbi gjendjen e bisedimeve të paqes, Zelensky theksoi se takimi i kësaj jave do të shërbejë si parapërgatitje për një takim trepalësh me Rusinë, i cili sipas tij pritet të zhvillohet në fillim të muajit mars.
Sipas presidentit ukrainas, në rendin e ditës për të enjten do të jenë gjithashtu çështje të rëndësishme si shkëmbimi i të burgosurve të luftës dhe një “paketë prosperiteti” që synon rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.
Nga ana tjetër, i dërguari amerikan Steve Witkoff konfirmoi më herët gjatë javës zhvillimin e këtyre bisedimeve, duke theksuar se qëllimi është të “eksplorohen variante të ndryshme se si mund të arrihet një marrëveshje paqeje”, raporton AFP.



