Gjykata e Lartë e OKB-së shpall fajtor Mianmarin: Kreu gjenocid kundër myslimanëve Rohingya

Gjykata e Lartë e OKB-së shpall fajtor Mianmarin: Kreu gjenocid kundër myslimanëve Rohingya

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, vendosi të enjten se mijëra vrasjet dhe dhuna seksuale e përhapur nga forcat e sigurisë së Mianmarit kundër popullsisë minoritare myslimane Rohingya në vitin 2017 përbënin gjenocid të sponsorizuar nga shteti.

 

Ky vendim, sipas Reuters, i marrë shtatë vjet pasi padia u ngrit nga Gambia me shumicë myslimane, shënon vetëm herën e katërt që nga Holokausti nazist që një gjykatë ndërkombëtare konstaton se është përmbushur pragu ligjor për të vërtetuar gjenocidin.

 Njëkohësisht, është hera e parë në histori që kjo gjykatë shpall drejtpërdrejt një shtet përgjegjës për gjenocid.

 

“Gjykata konstaton se forcat e sigurisë së Mianmarit vranë mijëra civilë Rohingya, kryen akte të përhapura të dhunës seksuale, si dhe akte të dhunës ekstreme kundër fëmijëve dhe sulmuan Rohingya-t që po largoheshin”, deklaroi gjyqtari kryesues Yuji Iwasawa gjatë leximit të vendimit në Hagë.

 

Paneli i gjyqtarëve arriti në përfundimin se Republika e Unionit të Mianmarit ka kryer gjenocid kundër grupit Rohingya në shtetin verior Rakhine.

 

Për 1.2 milionë refugjatët Rohingya të detyruar të mërgojnë në kampin e madh të refugjatëve Cox's Bazar në Bangladesh, ku mbi 1,000 persona brohoritën teksa ndiqnin shpalljen e vendimit në një ekran televiziv, ky ishte një moment historik i triumfit të së vërtetës.

 

“Për dekada të tëra, ushtria birmaneze u përpoq të fshinte identitetin tonë, të mohonte ekzistencën tonë dhe të shpërfillte vuajtjet tona. Duke konstatuar se Mianmari kreu gjenocid, duke urdhëruar garanci për mospërsëritje, dëmshpërblim dhe kompensim, gjykata më e lartë në botë e ka shkatërruar përgjithmonë atë gënjeshtër të sponsorizuar nga shteti”, u shpreh Wai Wai Nu, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Paqes së Grave dhe ish-e burgosur politike.

 

Nga ana tjetër, qeveria e Mianmarit, e cila vazhdimisht ka mohuar akuzat për gjenocid duke pretenduar se ushtria po luftonte një kryengritje të dhunshme, nuk ka reaguar ende zyrtarisht pas shpalljes së vendimit.

 

Gjyqtarët vërtetuan se ushtria e Mianmarit kreu ekzekutime masive të burrave dhe djemve, përdhunime sistematike ndaj grave Rohingya dhe dogji ose rrafshoi qindra fshatra gjatë të ashtuquajturave “operacione pastrimi”, duke dëbuar me forcë të paktën 700,000 myslimanë Rohingya nga vendi.

 

Vendimi prej 191 faqesh iu referua gjithashtu një investigimi të agjencisë Reuters për masakrën e 10 burrave myslimanë Rohingya në fshatin Inn Din më 7 shtator 2017, si dhe arrestimin pasues të dy gazetarëve të saj, të cilët u mbajtën në burg për më shumë se 500 ditë.

 

GJND-ja miratoi vlerësimin e misionit faktmbledhës të OKB-së për të paktën 10,000 viktima gjatë asaj ofensive, duke theksuar se “i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të shpjegojë veprimet e Mianmarit është qëllimi për të shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të grupit të mbrojtur”.

 

Gambia, e cila e nisi këtë betejë ligjore me mbështetjen e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cilësoi aktgjykimin si “një ditë historike për drejtësinë ndërkombëtare”.

 

Gjykata vendosi se Mianmari ka detyrimin ligjor të kompensojë popullsinë Rohingya për shkeljet e kryera, një shumë që do të përcaktohet në një fazë të dytë, si dhe të garantojë “kthimin e sigurt dhe dinjitoz në vendbanimet e tyre dhe ribashkimin e familjeve të zhvendosura”.

 

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndërsa vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe të detyrueshme, gjykata nuk ka mekanizma të drejtpërdrejtë policorë apo ushtarakë për t'i zbatuar ato.

 

Menjëherë pas vendimit, Mbretëria e Bashkuar njoftoi të enjten se po dëbon atasheun e mbrojtjes të Mianmarit nga Londra dhe paralajmëroi masa të tjera në ditët në vijim, ndërsa ligjvënësit britanikë kërkuan një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të detyruar zbatimin e aktgjykimit.

 

Gjykatat ndërkombëtare kanë njohur më parë gjenocidin vetëm në tre raste të tjera pas Luftës së Dytë Botërore: në Ruandë (1994), në Srebrenicë të Bosnjës (1995) dhe gjatë regjimit të Kmerëve të Kuq në Kamboxhia në fund të viteve 1970.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy