Autoritetet ruse kanë njoftuar se janë gjetur trupat e pesë alpinistëve të huaj në malin Elbrus, ndërsa mediat shtetërore raportojnë se viktimat besohet të jenë shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas prokurorisë lokale, grupi prej shtatë alpinistësh nisi ngjitjen më 24 korrik, por një ditë më vonë u përball me përkeqësim të menjëhershëm të motit, duke humbur itinerarin.
Njëri prej alpinistëve arriti të zbriste dhe njoftoi ekipet e shpëtimit se dy anëtarë të grupit ishin sëmurë në një lartësi prej rreth 5,100 metrash dhe kishin humbur jetën. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, ekipet gjetën edhe një tjetër të mbijetuar, si dhe trupat e tre alpinistëve të tjerë.
Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, konfirmoi raportimet për viktimat, duke e cilësuar ngjarjen si “një tragjedi të madhe”.
Mali Elbrus, me lartësi 5,642 metra dhe i vendosur në Kaukazin Verior pranë kufirit me Gjeorgjinë, njihet për ndryshimet e papritura të motit, të cilat shpesh e bëjnë ngjitjen veçanërisht të rrezikshme.
Sipas mediave boshnjake, të shtatë pjesëmarrësit e ekspeditës ishin nga qyteti i Zenicës dhe mes tyre ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe një mjeke e spitalit lokal. Ndërkohë, mediat ruse raportojnë se erërat e forta dhe kushtet e vështira atmosferike e komplikuan ndjeshëm operacionin e kërkim-shpëtimit.



