Sistemi i votimit online i Moskës është goditur nga një "sulm i rëndë kibernetik", por situata mbetet nën kontroll, raporton SkyNews, duke cituar kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mediat ruse.
Sulmet janë duke vazhduar, por të gjitha janë zmbrapsur me sukses, tha Ella Pamfilova, sipas mediave shtetërore të Moskës.
Të premten, qytetarët rusë nisën procesin tre-ditor të votimit në zgjedhjet e para parlamentare të vendit gjatë kohës së luftës; një proces që praktikisht nuk ka opozitë dhe që me shumë gjasa do të konsolidojë dominimin politik të Kremlinit.
Autoritetet e shtrinë procesin zgjedhor gjatë fundjavës, deri të dielën, në përpjekje për të rritur pjesëmarrjen e 111 milionë votuesve me të drejtë vote, duke lejuar madje edhe votimin elektronik.
Kremlini synon që këto zgjedhje parlamentare – të parat që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022 – të theksojnë mbështetjen publike për luftën dhe t'i japin njëfarë legjitimiteti veprimeve të tij. Ai është përpjekur të shmangë çdo rrezik politik duke shtypur edhe shenjën më të vogël të kundërshtisë.
"Zgjedhja dhe vendosmëria juaj do të dëshmojnë edhe një herë se miliona njerëz qëndrojnë pas luftëtarëve tanë, se jemi një popull i bashkuar, i lidhur nga vlera të përbashkëta, kujtesa historike dhe dashuria për Atdheun," u shpreh Presidenti Vladimir Putin drejtuar kombit para fillimit të votimit.



