Irani ka paralajmëruar se çdo anije që kalon nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit pa autorizimin e autoriteteve iraniane mund të përballet me masa ndëshkuese.
Paralajmërimi u bë këtë të enjte nga Garda Revolucionare, forca elitare e Republikës Islamike.
Sipas deklaratës së saj, “rruga e vetme e autorizuar për kalimin në Ngushticën e Hormuzit është ajo e shpallur nga Republika Islamike e Iranit”, duke theksuar se anijet që nuk respektojnë këtë rregull mund t’i nënshtrohen “masave të përshtatshme”.
Çështja e Ngushticës së Hormuzit mbetet një pikë e nxehtë në negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Autoritetet iraniane po shqyrtojnë vendosjen e tarifave kalimtare për anijet që përdorin këtë korridor detar, masa që nuk ekzistonte para konfliktit të fundit në rajon. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo tarifim të tillë, duke argumentuar se Hormuzi është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe duhet të mbetet i hapur për lundrimin global. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po zhvillon një tur në vendet e Gjirit Persik për të siguruar aleatët rajonalë mbi angazhimin e Uashingtonit për mbrojtjen e interesave të tyre gjatë bisedimeve me Iranin. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të naftës dhe gazit.



