Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi të enjten rezolutën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve që kërkon tërheqjen e trupave amerikane nga konflikti me Iranin, duke e cilësuar atë si një nismë “antipatriotike” që rrezikon të minojë negociatat me Teheranin.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi:
“Kush do të bënte diçka kaq antipatriotike? Ata e dinë shumë mirë se në çfarë faze ndodhen negociatat”.
Rezoluta u miratua një ditë më parë me mbështetjen e katër deputetëve republikanë, por ka kryesisht karakter simbolik, pasi presidenti amerikan ka të drejtën e vetos dhe mund ta bllokojë hyrjen e saj në fuqi.
Trump akuzoi demokratët se po vendosin interesat politike mbi ato kombëtare.
“Ata do të preferonin të shihnin vendin tonë të dështonte sesa të më jepnin një tjetër fitore, mes shumë fitoreve të tjera”, deklaroi ai.
Sipas ligjit amerikan, presidenti mund të nisë veprime ushtarake pa miratimin e Kongresit vetëm për t’iu përgjigjur një kërcënimi të menjëhershëm, por duhet të sigurojë autorizimin e Kongresit brenda 60 ditëve.
Megjithatë, në fillim të muajit maj, Trump anashkaloi këtë afat, duke argumentuar se konflikti, i cili kishte nisur më 28 shkurt me sulme amerikane dhe izraelite kundër Iranit, kishte përfunduar falë armëpushimit që është ende në fuqi.
Demokratët kundërshtojnë këtë interpretim, duke theksuar se forcat amerikane vazhdojnë të jenë të pranishme në rajon dhe po marrin pjesë në zbatimin e bllokadës ndaj porteve iraniane, çka sipas tyre tregon se angazhimi ushtarak nuk ka përfunduar.



