Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE), Arkady Dvorkovich, ka pezulluar ushtrimin e detyrës së tij pasi u përfshi në paketën më të fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian.
BE e akuzon ish-zëvendëskryeministrin rus për mbështetje të veprimeve dhe politikave që, sipas saj, cenojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Dvorkovich i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e cilësuar vendimin si të paligjshëm dhe të padrejtë, duke shprehur bindjen se ai do të rrëzohet përmes proceseve ligjore.
Ai mori drejtimin e FIDE-s në vitin 2018, ndërsa më herët kishte shërbyer si zëvendëskryeministër i Rusisë nga viti 2012 deri në vitin 2018. Emërimi i tij në krye të organizatës është shoqëruar vazhdimisht me kritika për lidhjet e tij me administratën e presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas njoftimit të Dvorkovich, pezullimi i detyrës do të mbetet në fuqi për sa kohë ai do t’u nënshtrohet sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës. Gjatë kësaj periudhe, përgjegjësitë e presidentit të FIDE-s do t’i ushtrojë zëvendëspresidenti Visëanathan Anand, ish-kampion bote në shah.
Në vitin 2022, Anand deklaroi për AFP se Dvorkovich kishte dëshmuar se vepronte në mënyrë të pavarur dhe nuk ndikohej nga Kremlini.
Gjatë mandatit të Dvorkovich, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i FIDE-s rishikoi një vendim të vitit 2024 që pezullonte përkohësisht Federatën e Shahut të Rusisë.
Komisioni anuloi edhe qortimin ndaj Dvorkovich, i cili lidhej me pretendime për “shoqërim të papërshtatshëm” me subjekte ose persona aktiviteti i të cilëve konsiderohej në kundërshtim me objektivat dhe interesat e FIDE-s.



