Tajfuni Bavi ka goditur Kinën lindore, duke u bërë stuhia e dytë e fuqishme që prek vendin brenda një jave dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë gati dy milionë banorë nga zonat e rrezikuara.
Stuhia zbarkoi fillimisht në qytetin bregdetar Taizhou dhe më pas në Wenzhou, ndërsa, megjithëse është dobësuar në një stuhi të fortë tropikale, autoritetet paralajmërojnë për reshje jashtëzakonisht të dendura dhe rrezik të lartë për përmbytje e rrëshqitje dheu.
Mbi 1.7 milionë persona janë evakuuar vetëm në provincën Zhejiang, ndërsa shkollat janë mbyllur, aktivitetet në natyrë janë pezulluar dhe qindra fluturime e dhjetëra linja hekurudhore janë anuluar. Edhe Pekini ka urdhëruar evakuimin e rreth 100 mijë banorëve si masë parandaluese.
Përpara se të mbërrinte në Kinë, tajfuni përshkoi Japoninë dhe Tajvanin, ndërsa në Filipine reshjet e lidhura me stuhinë shkaktuan rrëshqitje dheu ku humbën jetën të paktën 17 persona.
Kina vazhdon të përballet me pasojat e tajfunit Maysak, i cili në fillim të javës shkaktoi dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.



