
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë nëse veprimet e fundit të Milorad Dodikut, liderit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), përmbushin kushtet për rikthimin e tij në listën e sanksioneve amerikane.
Këtë e konfirmoi për portalin sarajevas Klix.ba Ambasada e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në një deklaratë, Ambasada theksoi se SHBA-ja “vazhdon të monitorojë veprimet e të gjithë aktorëve politikë, përfshirë ish-presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, dhe rezervon të drejtën për të vendosur sanksione ndaj individëve kur është e nevojshme, në përputhje me ligjet dhe urdhrat ekzekutivë në fuqi, nëse ata ndërmarrin veprime që cenojnë stabilitetin dhe rrisin tensionet”.
Zyrtarët amerikanë rikujtuan se Dodiku dhe disa zyrtarë të tjerë të Republikës Srpska ishin sanksionuar më parë për atë që Uashingtoni e kishte cilësuar si “veprimtari destabilizuese”.
Sanksionet u hoqën në tetor 2025, pasi autoritetet e Republikës Srpska ndërmorën, sipas Ambasadës, “hapa konkretë për uljen e tensioneve dhe shfuqizimin e ligjeve antikushtetuese që kishin çuar në vendosjen e masave ndëshkuese”.
Sipas Ambasadës, heqja e sanksioneve ndaj Dodikut u mundësua pasi ai dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës Srpska dhe lejoi zhvillimin e procesit për zgjedhjen e pasardhësit të tij, duke respektuar një vendim të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës që e ndalonte të ushtronte funksione publike.
Megjithatë, gjatë muajve të fundit, Dodiku ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa ka mbështetur publikisht idenë e shkëputjes së Republikës Srpska.
Ambasada amerikane bëri të ditur gjithashtu se pret emërimin e një Përfaqësuesi të Lartë të ri ndërkombëtar për Bosnjën dhe Hercegovinën në fillim të qershorit, duke nënvizuar se Uashingtoni do të vazhdojë të monitorojë veprimet e liderëve politikë dhe partive në vend për çdo zhvillim që mund të destabilizojë situatën.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë vitet e shërbimit të përkushtuar të Përfaqësuesit të Lartë në largim, Christian Schmidt, në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e bërë atë Përfaqësuesin e Lartë të dytë me mandatin më të gjatë që nga krijimi i këtij posti”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ambasada shtoi se pret që Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) të zgjedhë pasardhësin e Schmidtit gjatë mbledhjes së 3-4 qershorit, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i ri pritet të marrë detyrën më vonë gjatë këtij muaji.



