Gjermania po shqyrton mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës 2026 si një mjet i fundit presioni në rast se Shtetet e Bashkuara do të aneksonin Groenlandën.
Sipas Jürgen Hardt, përfaqësues i bllokut CDU/CSU dhe zëdhënës për politikën e jashtme i Partisë Kristian Demokrate (CDU), një bojkot i tillë do të shërbente si një levë politike ndaj Presidentit amerikan Donald Trump për çështjen e Groenlandës.
Në deklarata për gazetën gjermane Bild, Hardt ngriti mundësinë që Gjermania të mos marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ai theksoi se një vendim i tillë do të merrej vetëm si zgjidhje e fundit.
“Braktisja e turneut do të konsiderohej vetëm si masa e fundit, në mënyrë që Trump të kuptojë rëndësinë e çështjes së Groenlandës. Presidenti amerikan e ka bërë të qartë se sa shumë rëndësi ka Kupa e Botës për të”, u shpreh Hardt.
Në të njëjtën kohë, Berlini shpreson që çështja të zgjidhet përmes kanaleve diplomatike brenda NATO-s, pa përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Nga ana tjetër, Ministrja gjermane e Sportit, Christiane Schenderlein, gjithashtu nga CDU, nuk e mbështeti drejtpërdrejt idenë e bojkotit. Ajo deklaroi se një vendim i tillë i takon Shoqatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe FIFA-s.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në 16 qytete të SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës. Gjermania është kualifikuar tashmë për turneun.



