Ekuipazhi i një anijeje kontejnerësh të dëmtuar pranë Ngushticës së Hormuzit është shpëtuar pasi u detyrua të braktiste mjetin lundrues, njoftuan autoritetet detare.
Sipas Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), ekuipazhi u largua me një varkë shpëtimi dhe më pas u mor nga autoritetet lokale. Ngjarja ndodhi pasi në bordin e anijes shpërtheu një zjarr dhe u raportuan dëmtime në pjesën e pasme të saj, ndërsa ajo lundronte në lindje të Omanit.
Incidenti vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaroi se kishte qëlluar një të shtënë paralajmëruese ndaj një anijeje që, sipas tij, po përdorte një rrugë të paautorizuar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se IRGC kishte “sulmuar në mënyrë të hapur” një anije kontejnerësh me flamur qipriot dhe se një anëtar i ekuipazhit rezultonte i zhdukur.
Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse incidenti i raportuar nga palët i referohet të njëjtës anije, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave.



