Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul paralajmëroi sot Rusinë kundër provokimeve që synojnë territorin e NATO-s dhe përsëriti thirrjet që Moska të kthehet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas mediave te huaja, duke folur në sesionin e 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, Wadephul theksoi se aleanca do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj, pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore ku dronë dhe raketa kanë hyrë në territorin e Polonisë.
“Ne do të mbrojmë gjithmonë çdo centimetër të territorit tonë të NATO-s. Kjo është absolutisht e qartë”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së një ligjvënësi polak.
“Pra, z.Putin mos gaboni, ne jemi një aleancë mbrojtëse, por jemi të gatshëm të mbrojmë veten, vendet tona dhe aleancën tonë”, theksoi ai.
Wadephul kujtoi se Porta e Brandenburgut, e cila ndodhet vetëm pak kilometra larg vendit ku po zhvillohet takimi, është vendi ku ish-presidenti amerikan Ronald Reagan i ka bërë thirrje dikur Mikhail Gorbachevit, liderit të fundit sovjetik, që të shembte Murin e Berlinit. “Po ju them tani, z.Putin ndaleni këtë luftë. Ejani në tryezën e negociatave, sillni paqen në Evropë”, tha ai.
Wadephul rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për Ukrainën, duke thënë se “Kievi po mbrohet në mënyrë heroike ndërsa Rusia po bëhet më brutale se kurrë, por gjithnjë e më pak e suksesshme”.
