Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re ndryshimesh që synon “uljen e barrës administrative” për industrinë, por grupet mjedisore paralajmërojnë se këto masa do të dobësojnë mbrojtjen e natyrës dhe do të ulin standardet e kontrollit mjedisor në gjithë BE-në.
Sipas Komisionit, rreth një e katërta e kërkesave administrative mjedisore për sektorin privat do të hiqen deri në vitin 2029. Paketat e reja përfshijnë edhe heqjen e detyrimit për raportim të përdorimit të ujit dhe energjisë nga mijëra ferma intensive të derrave dhe shpendëve.
Gjithashtu, planifikohet shfuqizimi i vlerësimeve mjedisore për lejet e emetimeve industriale, shkarkimet e ujit dhe mbetet kimike.
CAN Europe dhe organizata të tjera paralajmërojnë se ndryshimet krijojnë pasiguri rregullatore dhe rrisin rrezikun për komunitetet lokale.
“Dobësimi i rregulloreve do të ketë pasoja të rënda për natyrën dhe shëndetin e njerëzve,” tha Chiara Martinelli. “Natyra nuk ka mundësi të ushtrojë presion politik si industritë ndotëse.”
Euronews raporton se, përmes omnibusit mjedisor, prodhuesit e baterive, elektronikës dhe shisheve plastike nuk do të mbajnë më përgjegjësi për mbetjet pas konsumit. Vetëm sektori i tekstileve gjeneron mbi 12 milionë tonë mbetje në vit.
Ekspertët paralajmërojnë se “thjeshtimet” e BE-së minojnë objektivat klimatike për vitin 2040 dhe vijnë në një kohë kur valët e të nxehtit dhe zjarret po përshkallëzohen në Evropë.
Ligjet e rishikuara do të diskutohen nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli nën presidencën e Qipros.



