Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi këtë të diel se gjatë 48 orëve të fundit janë shënuar përparime të rëndësishme lidhur me situatën në ngushticën e Hormuzit.
Gjatë një prononcimi për mediat në New Delhi, Rubio la të kuptohet se brenda orëve të ardhshme mund të ketë zhvillime pozitive në raport me tensionet që përfshijnë Iranin.
“Mendoj se është e mundur që në orët e ardhshme bota të marrë një lajm të mirë”, deklaroi ai para gazetarëve.
Kryediplomati amerikan ritheksoi gjithashtu qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se Irani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore.
Deklaratat e Rubios vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ndërsa ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike për tregtinë globale të naftës.



