
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të martën në Romë me Papën Leo XIV, ndërsa Ukraina njoftoi se do t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara propozime të përditësuara për përfundimin e luftës me Rusinë.
Sipas NBC News, takimi vjen pak më shumë se një ditë pasi Zelensky përsëriti se Ukraina nuk do të dorëzojë territore ndaj Rusisë, deklaratë që ai e bëri përpara shtypit ndërsa po përgatitej për bisedime me lidershipin italian dhe pas takimeve në Londër me udhëheqës të Britanisë, Francës e Gjermanisë.
Zelensky falënderoi Papën për mbështetjen ndaj popullit ukrainas dhe e ftoi të vizitojë Ukrainën, një veprim që, sipas tij, do të ishte “sinjal i fuqishëm solidariteti”.
Gjatë takimit u rikujtua fotografia ikonike e kishës së Vatikanit, ku Zelensky dhe presidenti amerikan Donald Trump u panë të ulur përballë njeri-tjetrit në funeralin e paraardhësit të Papës, foto që pati tërhequr vëmendje ndërkombëtare.

Pavarësisht zhvillimeve diplomatike, paqja mbetet larg, Zelensky përsëriti se Ukraina nuk ka asnjë të drejtë ligjore, kushtetuese apo morale për të cënuar integritetin territorial. Rusia, përkundrazi, vazhdon të kërkojë dorëzimin e rajonit lindor të Donbasit, kërkesë që Ukraina e refuzon prerazi.
Zelensky njoftoi se pozicioni i Ukrainës do t’iu dorëzohet SHBA-ve deri mbrëmjen e së martës. Teksa negociatat për një plan paqeje janë në vazhdim, liderët perëndimorë dhe ukrainas po përpiqen të harmonizojnë qëndrimet e tyre, ndërsa diskutimet për garanci sigurie dhe rindërtimin e Ukrainës do të intensifikohen në ditët në vijim.



