Ushtria izraelite njoftoi të enjten se ka hequr akuzat ndaj pesë ushtarëve që dyshoheshin se kishin rrahur dhe abuzuar seksualisht një të ndaluar palestinez, në një incident që ishte filmuar pjesërisht nga kamerat.
Vendimi u mor në një kohë kur vëmendja e madhe e opinionit publik në Izrael është përqendruar te lufta me Iranin.
Me këtë vendim mbyllet një çështje shumë e debatueshme që ka ndarë thellë opinionin në Izrael që nga arrestimi i ushtarëve në vitin 2024 në burgun ushtarak famëkeq Sde Teiman.
Arrestimi i tyre kishte shkaktuar reagime të forta nga anëtarë të qeverisë së ekstremit të djathtë dhe ultranacionalistë të linjës së ashpër, të cilët madje hynë me forcë në burg në shenjë proteste kundër ndalimit të ushtarëve.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përshëndeti vendimin për heqjen e akuzave, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut e kritikuan ashpër ushtrinë, duke e akuzuar se po injoron një nga rastet më të rënda të abuzimit në rrjetin e burgjeve të kohës së luftës.
Sari Bashi, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Public Committee Against Torture in Israel”, deklaroi se vendimi i jep praktikisht ushtarëve “leje për të kryer përdhunime, për sa kohë viktima është palestineze”.
Sipas saj, kjo është pjesë e një sërë vendimesh që, sipas organizatës, kanë fshehur ose minimizuar abuzimet ndaj të ndaluarve, të cilat janë shtuar që pas 7 tetorit 2023.
Sipas aktakuzës tashmë të rrëzuar, ushtarët akuzoheshin se kishin tërhequr zvarrë të ndaluarin palestinez në dysheme, e kishin shkelur me këmbë, e kishin goditur me pajisje elektrike dhe e kishin abuzuar seksualisht duke e plagosur rëndë në zonën rektale.
I ndaluari u dërgua në një spital izraelit me brinjë të thyera dhe me dëmtime të rënda që kërkuan ndërhyrje kirurgjikale, para se të kthehej sërish në burg.
Akuzat për abuzime në këtë qendër paraburgimi morën më shumë vëmendje në gusht të vitit 2024, kur mediat izraelite publikuan një video të rrjedhur që dyshohet se tregonte një pjesë të incidentit. Në pamje shfaqeshin disa ushtarë të maskuar që ngrinin nga toka një të ndaluar palestinez, ndërsa ai dhe të tjerë qëndronin të shtrirë me fytyrë nga toka dhe të prangosur brenda një zone të rrethuar me gardh. Ushtarët më pas e çonin të ndaluarin në një pjesë të izoluar të zonës, duke e mbuluar me mburoja.



