
Shtëpia e Bardhë ka kritikuar vendimin e Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel për t’ia dhënë Nobelin për Paqen Maria Corina Machados, një udhëheqëse të opozitës venezueliane, në vend të Presidentit amerikan Donald Trump.
“Presidenti Trump do të vazhdojë të bëjë marrëveshje paqeje, t’i japë fund luftërave dhe të shpëtojë jetë. Ai ka zemrën e një humanisti dhe nuk do të ketë kurrë askënd si ai që mund të lëvizë malet me fuqinë e vullnetit të tij. Komiteti i Çmimit Nobel ka vërtetuar se e vendos politikën mbi paqen”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Cheung, në një postim në X.
Komiteti Norvegjez i Nobelit ia dha çmimin vjetor Machados, duke përmendur mbrojtësit e guximshëm të lirisë që ngrihen dhe rezistojnë udhëheqjen autoritare.
Trump ka bërë fushatë për çmimin dhe vetëm këtë javë njoftoi një armëpushim dhe një marrëveshje për pengjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Presidenti republikan nuk ka komentuar ende mbi vendimin e Nobelit, por ai postoi tre video në llogarinë e tij Truth të premten në mëngjes, në të cilat mbështetësit e tij festojnë marrëveshjen e Gazës.



