Irani: Ka përparim në negociatat me SHBA-në, por ende s’ka marrëveshje

Irani: Ka përparim në negociatat me SHBA-në, por ende s’ka marrëveshje

Irani ka deklaruar se është arritur “njëfarë përparimi” në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, por ka mohuar se një marrëveshje përfundimtare është pranë.

 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqai, tha të hënën në Teheran se palët kanë avancuar në një pjesë të konsiderueshme të çështjeve në diskutim, megjithatë paralajmëroi se ende nuk mund të flitet për një marrëveshje të afërt.

 

“Është e saktë të thuhet se kemi arritur në një përfundim mbi një pjesë të madhe të çështjeve që janë në diskutim, por askush nuk mund të pretendojë se nënshkrimi i një marrëveshjeje është pranë.

 

Komentet e Baqait erdhën pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh optimist se një marrëveshje mund të arrihej brenda ditës së hënë. 

 

Duke folur nga New Delhi, Rubio tha se Uashingtoni kishte pritur zhvillime pozitive një natë më parë, por theksoi se përgjigjet nga Teherani kërkojnë kohë.

 

Sipas raportimeve të mediave amerikane, drafti i diskutuar përfshin një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe vazhdimin e negociatave mbi programin bërthamor iranian. 

 

Megjithatë, çështjet më të ndjeshme, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, lirimin e fondeve të ngrira iraniane dhe kufizimin e ambicieve bërthamore të Teheranit pritet të diskutohen në faza të mëtejshme.

 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjatë fundjavës se palët po afroheshin drejt një marrëveshjeje, edhe pse më vonë tha se kishte udhëzuar negociatorët amerikanë të “mos nxitohen”.

 

Ndërkohë, CBS News raportoi se inteligjenca amerikane beson se udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, është fshehur në një vend sekret pas plagosjes në një sulm izraelit, gjë që po vështirëson komunikimin dhe po ngadalëson ritmin e negociatave.

 

Shpresat për një marrëveshje ndikuan menjëherë në tregje, me çmimet e naftës që pësuan rënie të ndjeshme dhe bursat aziatike që shënuan rritje.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy