Rritja e sasive të mëdha të dioksidit të karbonit (CO₂) në atmosferë mund të shkaktojë tharjen dhe vdekjen e pyjeve, në vend që t’i bëjë ato të lulëzojnë.
Këtë e tregon një studim i ri, sipas theGuardian, i bazuar në të dhëna fosile, që kundërshton pretendimet se emetimet nga djegia e lëndëve djegëse fosile do ta gjelbërojnë planetin.
Studiuesit analizuan qeliza nga gjethe të fosilizuara që datojnë rreth 56 milionë vjet më parë, gjatë një periudhe të njohur si Maksimumi Termik Paleocen-Eocen (PETM).
Kjo periudhë shërben si një nga krahasimet më të afërta me ndryshimet e shpejta klimatike që po përjeton sot planeti.
Gjatë PETM-së, sasi të mëdha karboni u çliruan në atmosferë dhe temperatura globale u rrit me deri në 8 gradë Celsius.
Sipas autorëve të studimit, ndryshimi klimatik fillimisht favorizoi rritjen e bimësisë, por më pas temperaturat e larta dhe thatësira shkaktuan një rënie të ndjeshme të pyjeve.
“Ajo që shohim është se, ndërsa dioksidi i karbonit u rrit, pyjet u bënë shumë të dendura, por më pas u shembën, duke u hapur në mënyrë dramatike”, tha Regan Dunn, studiuesja që drejtoi studimin.
Sipas saj, rreth 60% e biomasës së bimësisë së pranishme u zhduk gjatë kësaj periudhe.
“Pyjet janë disa nga miqtë dhe aleatët tanë më të mirë, por ne tashmë po i shohim ato të shuhen, të priten dhe të konsumohen nga zjarret”, tha Dunn, duke shtuar se ndryshimet po ndodhin me ritme gjithnjë e më të shpejta.
Bimët kanë nevojë për dioksid karboni për fotosintezën dhe rritjen. Rritja e përqendrimit të CO₂ në atmosferë pas Revolucionit Industrial ka ndihmuar në rritjen e bimësisë në disa zona të botës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky përfitim ka kufij. Përqendrimet e larta të CO₂ kontribuojnë në ngrohjen e planetit, ndërsa temperaturat ekstreme, thatësirat dhe mungesa e ujit mund të tejkalojnë përfitimet që bimët marrin nga CO₂ shtesë.
Sipas studimit, temperaturat më të larta mund të dobësojnë pemët, të rrisin stresin nga mungesa e ujit dhe të favorizojnë përhapjen e dëmtuesve e sëmundjeve. Bimësia e tharë, nga ana tjetër, bëhet më e ekspozuar ndaj zjarreve.
Studiuesit argumentojnë se të dhënat fosile tregojnë se një atmosferë me më shumë CO₂ nuk nënkupton domosdoshmërisht më shumë pyje. Kur ngrohja dhe thatësira kalojnë një prag të caktuar, përfitimi fillestar nga rritja e CO₂ mund të zëvendësohet nga dëmtimi i ekosistemeve.
Dunn theksoi se, kur klima bëhet tepër e ngrohtë, bimët nuk janë më në gjendje ta përballojnë stresin termik dhe mungesën e ujit, duke çuar në tharjen dhe vdekjen e pyjeve.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore ‘Science’, sjell të dhëna nga e kaluara e Tokës për të kuptuar më mirë se si pyjet mund të reagojnë ndaj rritjes së shpejtë të temperaturave dhe përqendrimit të CO₂ në atmosferë.



