Qeveria e Suedisë po promovon një rikthim te librat fizikë, fletoret dhe stilolapsat në shkolla, në përpjekje për të përmirësuar nivelin në rënie të leximit dhe shkrimit tek nxënësit.
Nisma synon të forcojë mësimin tradicional, por ka ngjallur kritika nga kompani teknologjike, edukatorë dhe shkencëtarë të informatikës.
Ata paralajmërojnë se kufizimi i mjeteve digjitale mund të ndikojë negativisht në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës dhe madje të dëmtojë ekonominë e vendit.
Ky zhvillim bie në kontrast me imazhin e Suedisë si një nga shoqëritë më të avancuara teknologjikisht në Evropë, falë nivelit të lartë të aftësive digjitale dhe një sektori të zhvilluar të start-up-eve.
Përdorimi i laptopëve në shkollat suedeze u bë i zakonshëm në fund të viteve 2000 dhe fillim të viteve 2010.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2015 rreth 80% e nxënësve në shkollat e mesme publike kishin akses individual në pajisje digjitale.
Ndërkohë, në vitin 2019, përdorimi i detyrueshëm i tabletëve në parashkollor u përfshi në kurrikulë, si pjesë e strategjisë së qeverisë së atëhershme socialdemokrate për të përgatitur fëmijët që në moshë të hershme për një jetë gjithnjë e më digjitale.



