Parlamenti i Izraelit, Knesset, ka miratuar një projektligj të diskutueshëm që parashikon vendosjen e dënimit me vdekje për palestinezët e dënuar për vrasjen e izraelitëve në akte të cilësuara si “terrorizëm”, duke përjashtuar nga kjo masë shtetasit izraelitë hebrenj në raste të ngjashme.
Ligji u miratua të hënën me 62 vota pro, 48 kundër dhe një abstenim, përfshirë edhe votën e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ai pritet të hyjë në fuqi brenda 30 ditësh.
Nisma konsiderohet një fitore politike për krahun e djathtë të skenës izraelite, veçanërisht për ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili e kishte vendosur këtë projektligj si kusht në marrëveshjen e koalicionit me partinë e tij Otzma Yehudit.
Sipas dispozitave të reja, gjykatat ushtarake që operojnë në Bregun Perëndimor dhe që gjykojnë vetëm palestinezë jo-shtetas izraelitë do të kenë kompetencë të vendosin dënimin kapital për sulme vdekjeprurëse ndaj izraelitëve.
Autoriteti Palestinez e ka dënuar ligjin, duke e cilësuar atë si “krim lufte” dhe shkelje të Konventa e Katërt e Gjenevës, sidomos për sa i përket garancive për gjykime të drejta.
Ekspertë ligjorë dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për natyrën diskriminuese të ligjit. Sipas tyre, ai zbatohet vetëm ndaj palestinezëve dhe ul pragun për vendosjen e dënimit me vdekje, duke lejuar vendime me shumicë të thjeshtë të gjyqtarëve.
Organizata izraelite për të drejtat e njeriut B'Tselem ka paralajmëruar se sistemi i gjykatave ushtarake ka një normë dënimi prej rreth 96 për qind dhe se shumë vendime bazohen në rrëfime të marra nën presion gjatë hetimeve.
Menjëherë pas miratimit, Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael njoftoi se ka paraqitur një peticion në Gjykatën Supreme për ta sfiduar ligjin, duke e cilësuar atë si “diskriminues” dhe të miratuar pa autoritet juridik mbi territorin e Bregut Perëndimor.
Ndërkohë, reagime kritike kanë ardhur edhe nga disa vende evropiane, ndërsa organizata Amnesty International ka paralajmëruar se ligji mund të përforcojë praktikat diskriminuese në sistemin ligjor izraelit.
Megjithëse dënimi me vdekje ekziston në legjislacionin izraelit për raste të caktuara si gjenocidi dhe spiunazhi në kohë lufte, Izraeli nuk ka ekzekutuar asnjë person që nga viti 1962, kur u ekzekutua krimineli nazist Adolf Eichmann.



