Raundi i pestë i bisedimeve mes Libanit dhe Izraelit, të zhvilluara në Uashington me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojë edhe të premten, ndonëse ishte parashikuar të përfundonte të enjten.
Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se diskutimet janë ende në zhvillim dhe se të dyja palët do t’i rikthehen tryezës së negociatave të premten, me synimin për të arritur një marrëveshje.
Ndërkohë, grupi i armatosur Hezbollah akuzoi sërish Izraelin për “shkelje flagrante” të armëpushimit, pasi një sulm me dron shkaktoi vdekjen e tre personave.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se në sulm u vranë luftëtarë të Hezbollahut.
Sipas raportimeve, protokolli i mirëkuptimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, i nënshkruar më 17 qershor, parashikon ndërprerjen e luftimeve, përfshirë edhe në Liban.
Në marrëveshje, me kërkesë të Iranit, është përfshirë edhe çështja e situatës në Liban.



