Mijëra mbështetës të Hezbollahut kanë marshuar me motorë ditën e enjte, në jugun e Bejrutit, zonë e njohur si bastion i këtij grupi shiit.
Kjo protestë u konsiderua si një demonstrim force në përgjigje të vendimit të qeverisë libaneze për të çarmatosur këtë grup, i cili mbështetet nga Irani.
Pjesëmarrësit, shumë prej të cilëve mbanin flamuj të Hezbollahut dhe të lëvizjes aleate Amal, brohorisnin slogane kundër vendimit të qeverisë, duke e quajtur atë një sulm ndaj sovranitetit të Libanit dhe aftësive të tij mbrojtëse.
Po të njëjtën ditë, qeveria zhvilloi mbledhjen e dytë lidhur me këtë çështje, pasi kishte ngarkuar ushtrinë të përgatiste një plan për çarmatosjen e Hezbollahut deri në fund të vitit.
Ky vendim është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, të cilat e cilësuan si një "vendim të guximshëm dhe historik" drejt sovranitetit të plotë të Libanit.
Ndërkohë, tensionet në vend po rriten.
Ministrat shiitë, përfshirë dy të afërt me Hezbollahun, braktisën mbledhjen e qeverisë në shenjë proteste. Hezbollahu vazhdon të kundërshtojë çdo përpjekje për t’i hequr armët, duke e justifikuar praninë e tyre me nevojën për "rezistencë" ndaj Izraelit.



