Një nga dyshimet e ngritura nga Charles Darwin më shumë se një shekull më parë është konfirmuar nga shkenca moderne: disa bimë të gjinisë Saxifraga janë në të vërtetë mishngrënëse.
Në vitin 1875, natyralisti i famshëm britanik vuri re se dy lloje të kësaj gjinie, Saxifraga rotundifolia dhe Saxifraga umbrosa, kishin struktura të ngjashme me qimet kapëse të bimëve mishngrënëse.
Këto struktura, të njohura si trikome gjëndrore, prodhonin një masë ngjitëse që mund të kapte insekte. Megjithatë, eksperimentet e Darvinit nuk arritën të provonin plotësisht se bimët ishin në gjendje t’i tretnin dhe t’i përdornin ato si burim ushqyes.
Më shumë se 150 vite më vonë, një ekip ndërkombëtar studiuesish ka vërtetuar hipotezën e tij përmes analizave moderne biologjike.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Communications, u përqendrua te bima Saxifraga candelabrum, një specie që rritet në zonat malore të larta të Rrafshnaltës Qinghai-Tibet dhe maleve Hengduan në Kinë.
Bima që tërheq dhe tret insektet
Studiuesit zbuluan se kjo bimë nuk i kap insektet rastësisht, por përdor një strategji të ngjashme me atë të bimëve të tjera mishngrënëse: i tërheq, i bllokon dhe më pas i tret.
Përmes analizave kimike u zbulua se Saxifraga candelabrum lëshon aroma që tërheqin insekte të vogla, veçanërisht mushkonja. Pasi insektet mbeten të ngjitura në sipërfaqen e bimës, ajo përdor një enzimë të quajtur fosfatazë për të shpërbërë trupat e tyre dhe për të përthithur lëndët ushqyese.
Eksperimentet me izotope treguan gjithashtu se azoti i marrë nga insektet kalon drejtpërdrejt te bima, duke dëshmuar se ajo nuk është thjesht një kurth mekanik, por një organizëm që ushqehet realisht me prenë e saj.
Një zbulim që zgjeron listën e bimëve mishngrënëse
Analizat gjenetike treguan se Saxifraga candelabrum ndan disa gjene të lidhura me tërheqjen e insekteve, tretjen dhe përthithjen e lëndëve ushqyese me bimë të tjera mishngrënëse.
Sipas studiuesve, ky zbulim mund të çojë në identifikimin e shumë bimëve të tjera që mund të kenë aftësi të ngjashme, por që deri tani nuk janë njohur si mishngrënëse.
“Disa bimë që njiheshin vetëm për qimet e tyre ngjitëse mund të kenë aftësi të fshehura për tretjen dhe përthithjen e lëndëve ushqyese nga insektet”, tha autori kryesor i studimit, Hang Sun.
Aktualisht njihen më shumë se 750 lloje bimësh mishngrënëse në botë, por studiuesit besojnë se numri real mund të jetë më i madh.
Saxifraga candelabrum rritet në zona alpine, në lartësi deri në rreth 3300 metra mbi nivelin e detit, ku toka është e thatë, shkëmbore dhe e varfër me lëndë ushqyese. Në këto kushte, marrja e azotit nga insektet i jep bimës një avantazh të rëndësishëm për mbijetesë.
Botanisti Douglas Soltis, një nga autorët e studimit, shpjegoi se shumë bimë mishngrënëse janë zhvilluar pikërisht në mjedise ku toka ka mungesë nitratesh.
Zbulimi i ri për Saxifraga candelabrum tregon edhe një herë se bota bimore ende fsheh shumë mistere.



