Pesë gazetarë janë midis 20 personave të vrarë në një sulm izraelit ndaj Kompleksit Mjekësor Nasser në Gazën jugore, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së enklavës.
Viktimat u regjistruan në katin e katërt të spitalit në një sulm me dy goditje - një raketë goditi fillimisht, pastaj një tjetër pak çaste më vonë.
Në mesin e të vrarëve ishin edhe Hussam al-Masri, i cili punonte si fotoreporter për agjencinë e lajmeve Reuters; Mariam Abu Daqqa, e cila punonte si gazetare me disa media, përfshirë agjencinë e lajmeve The Independent Arabic dhe Associated Press; dhe gazetari Moaz Abu Taha, sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës.
Një gazetar i pestë, Ahmed Abu Aziz, i cili punonte për Rrjetin Feed Quds dhe media të tjera, ndërroi jetë nga plagët e marra, sipas deklaratës së Zyrës së Medias. Mes viktimave është fotografi i Al Jazeera-s, Mohammad Salama.
“Kolegët gazetarë u martirizuan kur pushtimi izraelit kreu një krim të tmerrshëm duke bombarduar një grup gazetarësh që ishin në një mision mbulimi për shtyp në Spitalin Nasser në Guvernatoratin Khan Younis dhe shumë martirë ranë viktima të këtij krimi”, tha Zyra e Medias në një deklaratë.
“Ne bëjmë pushtimin izraelit, administratën amerikane dhe vendet pjesëmarrëse në krimin e gjenocidit, si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca, plotësisht përgjegjëse për kryerjen e këtyre krimeve të tmerrshme brutale.”
Reuters raportoi se transmetimi i tyre i drejtpërdrejtë video nga spitali, i cili drejtohej nga kameramani al-Masri, u ndërpre papritur në momentin e sulmit fillestar.



