Avionët luftarakë të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar i janë bashkuar avionëve francezë në një sulm të përbashkët ndaj një depoje nëntokësore armësh në Siri, të përdorur nga grupi i Shtetit Islamik.
Në deklaratën zyrtare Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar ka theksuar se sulmi erdhi pasi zbuluan se objektivi ruante armë dhe eksplozivë dhe se ndodhej në malet në veri të Palmirës, një vend i lashtë në Sirinë qendrore.
Sipas Ministrisë së mbrojtjes të gjithë avionët u kthyen të sigurt dhe pa asnjë humbje të civilëve britanikë të cilët ishin pjesë e misionit. Ndërkohë ende pa një vlerësim të plotë të misionit, zyrtarët britanikë kanë deklaruar se objektivi u qëllua me sukses.
“Ky veprim tregon lidershipin tonë në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendosmërinë për të qëndruar krah për krah me aleatët tanë, për të shuar çdo ringjallje të ISIS-it dhe ideologjive të tyre të rrezikshme dhe të dhunshme në Lindjen e Mesme”, tha Sekretari i Mbrojtjes John Healey.
Avionët e RAF kanë kryer patrullime mbi Siri për të parandaluar çdo përpjekje për ringjallje të ISIS pas disfatës në betejën e Baghuzit në vitin 2019. Sipas Kombeve të Bashkuara ISIS ka ende rreth 5,000 - 7,000 luftëtarë në Siri dhe Irak.



