Rusia ka ndërmarrë një sulm të gjerë me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës gjatë natës, duke goditur veçanërisht kryeqytetin Kiev dhe qytetin e Dnipros. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 10 persona janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur.
Në Kiev, sulmet shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa banimi dhe objekte civile, ndërsa zjarre shpërthyen në disa zona të qytetit. Autoritetet thanë se ka dyshime se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja pas shembjes së pjesshme të një blloku apartamentesh.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e cilësoi ofensivën si një “sulm masiv armik”, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Mes të plagosurve në kryeqytet janë edhe tre fëmijë.
Sulme ruse u raportuan edhe në Dnipro dhe Kharkiv, ku dhjetëra persona mbetën të plagosur. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar më herët për mundësinë e një sulmi të madh rus, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës.
Ofensiva vjen në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike dhe rafinerive të naftës në territorin rus, duke rritur më tej tensionet mes dy vendeve.



