Lufta e sushit në Izrael, 15 sulme në një javë kundër rrjetit Japanika

Lufta e sushit në Izrael, 15 sulme në një javë kundër rrjetit Japanika

Një seri sulmesh të koordinuara ka tronditur Izraelin gjatë javës së fundit, duke vendosur në qendër të përplasjes kriminale rrjetin e njohur të restoranteve të sushit Japanika. 

 

Brenda pak ditësh, granata, të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime goditën disa prej degëve të zinxhirit, në atë që autoritetet izraelite e konsiderojnë një përshkallëzim të luftës mes organizatave kriminale rivale.

 

Sipas policisë, që nga 6 korriku janë regjistruar rreth 15 sulme ndaj bizneseve dhe objekteve të lidhura me rrjetin Japanika. Të paktën 13 pajisje shpërthyese janë përdorur në qytete si Tel Aviv, Netanya, Herzliya, Ramat Gan, Rishon LeZion, Afula, Givatayim dhe Kiryat Ono.

 

Në disa raste janë hedhur granata, ndërsa në të tjera janë qëlluar hyrjet e restoranteve. Fatmirësisht nuk është raportuar për viktima, por sulmet kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike.

 

Hetuesit besojnë se objektivi nuk ishte vetë marka, por interesat ekonomike të personave që menaxhojnë disa prej degëve të saj. Sipas tyre, disa operatorë të restoranteve kanë lidhje me grupe kriminale rivale, duke e kthyer Japanika-n në një simbol të konfliktit për kontrollin e tregjeve të paligjshme dhe influencës ekonomike.

 

Zinxhiri është në pronësi të biznesmenit Barak Abramov, i njohur edhe si pronar i klubit të futbollit Beitar Jerusalem. Mediat izraelite raportojnë se ai dikur konsiderohej i afërt me klanin Musli, ndërsa më vonë u lidh me familjen Jarushi, dy nga organizatat kriminale më të fuqishme në vend. Pikërisht kjo përplasje aleancash dyshohet se e ka shndërruar rrjetin e restoranteve në një objektiv të drejtpërdrejtë.

 

Dy organizatat rivale janë të përfshira prej vitesh në aktivitete si trafiku i drogës, zhvatja, pastrimi i parave, huadhënia me fajde, mbledhja e dhunshme e borxheve dhe infiltrimi në sektorë të ekonomisë ligjore. Aleancat mes tyre ndryshojnë vazhdimisht, ndërsa çdo atentat apo arrestim rrezikon të ndezë një cikël të ri hakmarrjesh.

 

Pas sulmeve të fundit, policia arrestoi Yossi Musli, një nga figurat kryesore të klanit Musli. Autoritetet dyshojnë se ai ka pasur rol në organizimin e fushatës së frikësimit ndaj restoranteve, megjithatë besojnë se arrestimi i tij nuk do të jetë i mjaftueshëm për të ndalur konfliktin, pasi organizatat kriminale vazhdojnë të funksionojnë përmes rrjeteve të tyre të bashkëpunëtorëve.

 

Dhuna e lidhur me krimin e organizuar ka shënuar rritje të ndjeshme në Izrael, veçanërisht në komunitetin arab. Sipas organizatës Abraham Initiatives, vetëm gjatë vitit 2026 numri i viktimave ka kaluar shifrën 100, ndërsa presidenti Isaac Herzog ka deklaruar se të vrarët që nga fillimi i vitit janë rreth 140, duke e cilësuar situatën si të papranueshme.

 

Viti 2025 u regjistrua si më i përgjakshmi për komunitetin arab në Izrael, me 252 viktima, shumica të vrara me armë zjarri. Të dhënat tregojnë gjithashtu një hendek të madh në zbardhjen e krimeve, pasi vetëm rreth 15% e vrasjeve në komunitetet arabe janë zgjidhur, krahasuar me rreth 65% në komunitetin hebre.

 

Ekspertët paralajmërojnë se organizatat kriminale disponojnë tashmë armë të rënda, përfshirë granata ushtarake, eksplozivë dhe pushkë sulmi, ndërsa kanë zgjeruar aktivitetin e tyre edhe në ekonominë formale përmes kompanive fasadë dhe investimeve të ndryshme.

 

Sulmet ndaj rrjetit Japanika konsiderohen vetëm një shenjë e dukshme e një konflikti shumë më të gjerë, që vazhdon të sfidojë autoritetet izraelite dhe të rrisë pasigurinë në vend.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy