
Shtetet e Bashkuara sulmuan Iranin të premten, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me dron një ditë më parë ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit. Ky është testi më i rëndësishëm deri tani për marrëveshjen e përkohshme të arritur një javë më parë mes dy vendeve, e cila synonte nisjen e përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit disamujor dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti, Donald Trump, deklaroi se sulmi me dron përbënte shkelje të armëpushimit. Goditjet amerikane erdhën pak pasi Trump u tha gazetarëve: “Do ta merrni vesh”, kur u pyet nëse SHBA do të kundërpërgjigjej.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se ushtria goditi baza raketash dhe dronësh, si edhe radarë bregdetarë në territorin iranian.
“Nuk më pëlqeu fakti që ata qëlluan dje, në fakt katër herë,” tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, pak para se SHBA të ndërmerrte sulmet. I pyetur pse po kryheshin goditje ushtarake ndërkohë që ai kishte deklaruar vazhdimisht se bisedimet me Teheranin po ecnin mirë, Trump u përgjigj për Iranin: “Ata janë pak më ndryshe.”
Më pas ai i ndërpreu papritur pyetjet, ndërsa gazetarët u shoqëruan jashtë zyrës së tij.
Nga ana tjetër, Ebrahim Azizi, kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Parlamentin iranian, reagoi më herët gjatë së premtes në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur Trumpit: “Ngushtica e Hormuzit administrohet nga Irani, prandaj respektoni rregullat”, duke shtuar se “kontrolli nuk duhet ngatërruar me përshkallëzimin e situatës.”



