Parlamenti hungarez, i hoqi imunitetin kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish-ministrave të Viktor Orban, të cilët janë të përfshirë në raste të ndryshme penal.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm kërkoi javën e kaluar që të hiqej imuniteti i dy deputetëve dhe kryeministrit në mënyrë që të ishte në gjendje të vazhdonte hetimet e saj.
Në rastin e dy ish-ministrave, këto janë ndjekjet penale të para të zyrtarëve të lartë nga epoka e Orban për korrupsion.
Heqja e imunitetit të Magyar, si dhe të ish-ministrit të Kulturës dhe Inovacionit Balas Hanko dhe ish-ministrit të Zhvillimit Miklos Sestak, u miratua nga 139 deputetë nga një total prej 199 gjatë ditës së sotme. Partia Fidesz e Orbanit dhe aleati i saj KDNP bojkotuan votimin.
Nga ana e tij, Magyar po hetohet për një incident që daton që nga viti 2024. Ai akuzohet se i ka marrë telefonin celular një burri që po e filmonte në një klub nate dhe e ka hedhur në Danub.
Kryeministri hungarez pro-evropian kishte kërkuar vetë heqjen e imunitetit të tij, pasi e ka denoncuar prej kohësh rastin, të cilin e përshkruan si një “parodi".
Javën e kaluar, Magyar akuzoi zyrën e prokurorit të përgjithshëm se po përpiqej ta lidhte çështjen e tij me ato të ish-ministrave të Orbanit.
Hanko akuzohet për përvetësim të 47 milionë eurove nga fondet publike, një pjesë e të cilave u përdorën për fushatën zgjedhore të Fidesz për zgjedhjet e vitit 2026 .
Sestak, një deputet i KDNP-së, dyshohet se ka marrë disa milionë euro ryshfete në lidhje me blerjen e autobusëve të përdorur me çmime të fryra nga viti 2014 deri në vitin 2018.



