Shërbimi spanjoll i shpëtimit detar, njoftoi se rreth 2200 emigrantë kanë mbërritur në Ishujt Kanarie vetëm në dy ditë, duke rritur presionin mbi autoritetet lokale, ndërsa vendi përballet me një rritje të re të flukseve të migracionit.
Siç njoftuan autoritetet spanjolle të dielën, ekipet e shpëtimit u ofruan ndihmë 1324 personave në bordin e 14 gomoneve, shumica e të cilëve përfunduan në El Hierro, një ishull i vogël me një popullsi prej rreth 12.000 banorësh.
Ky numër iu afrua rekordit ditor për shpëtimet në këtë rrugë të veçantë emigrimi, i cili u regjistrua më 7 nëntor 2020, kur u shpëtuan 1461 persona.
Qeveria spanjolle shpalli gjendje të jashtëzakonshme për migracionin në Ishujt Kanarie të martën e kaluar më 10 nëntor, pas një rritjeje të ndjeshme të mbërritjeve në javët e fundit, kryesisht nga vendet e Afrikës Subsahariane.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme Spanjolle, nga fillimi i janarit deri në fund të tetorit, më shumë se 28.000 persona mbërritën në Spanjë me rrugë detare, nga të cilët mbi 13.000 zbarkuan në Ishujt Kanarie.
Në porte, punonjësit e Kryqit të Kuq mirëpresin të sapoardhurit, duke u ofruar atyre rroba të thata, ushqim dhe ujë, ndërsa regjistrojnë të dhënat e tyre, shpjegoi koordinatori i emergjencave të organizatës në Tenerife, Dathil Leon, për televizionin publik RTVE.
Rruga detare që lidh Afrikën Perëndimore me Ishujt Kanarie konsiderohet si një nga më vdekjeprurëset në botë.
Edhe pse arkipelagu është vetëm 105 kilometra larg bregdetit më të afërt afrikan, shumë emigrantë ndjekin rrugë më të gjata dhe më të rrezikshme për t’iu shmangur forcave të sigurisë.
Këto udhëtime mund të zgjasin ditë ose edhe javë, ku shumicën e anijeve që nisen nga Mauritania.
Rritja e re e mbërritjeve vjen vetëm dy javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Spanjë, duke e rikthyer çështjen e migracionit në agjendën politike të vendit.
