Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se do të ndërmerren masa shumë të forta nëse autoritetet iraniane vazhdojnë me kërcënimin për varje të disa protestuesve, ndërsa Teherani i quajti paralajmërimet amerikane një “pretekst për ndërhyrje ushtarake”.
Trump, i cili më parë u kishte thënë protestuesve në Iran se “ndihma është duke ardhur”, tha në një intervistë me CBS News se Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin nëse Irani do të fillonte të varte protestuesit.
Prokurorët e Teheranit thanë se autoritetet iraniane do të ngrinin akuza kapitale për “moharebeh”, ose “luftë kundër Zotit”, kundër disa të dyshuarve të arrestuar gjatë demonstratave të fundit.
“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të marrim masa shumë të ashpra”, tha presidenti amerikan, i cili e ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me ndërhyrje ushtarake.
Misioni iranian në OKB lëshoi një deklaratë për X, duke u zotuar se Uashingtoni do të dështojë përsëri.
Fantazitë dhe politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit janë të rrënjosura në ndryshimin e regjimit, me sanksione, kërcënime, trazira të orkestruara dhe kaos që shërbejnë si një mënyrë veprimi për të krijuar një pretekst për ndërhyrje ushtarake.
Numri i viktimave pas protestave në Iran ka arritur të paktën në 12.000, por mund të arrijë deri në 20.000, zbuloi dje transmetuesi amerikan CBS, duke cituar dy burime, njëri prej të cilëve është brenda Republikës Islamike dhe mundi të fliste me ta pasi rifilluan telefonatat ndërkombëtare.
Një zyrtar iranian raportoi se afërsisht 2000 persona janë vrarë në protesta, duke shtuar se numri i të vdekurve përfshin edhe anëtarë të forcave të sigurisë dhe duke ia atribuar vdekjet veprimeve të “terroristëve”.
Nga ana e tij, kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni Ejei, premtoi gjyqe të shpejta për të arrestuarit gjatë “kryengritjeve” të vazhdueshme në Iran, të cilat kanë lënë mijëra të vdekur. Ejei e bëri deklaratën gjatë një vizite në një burg ku janë transferuar personat e arrestuar gjatë protestave në rrugë.
“Nëse dikush i vë flakën një personi, nëse ia pret kokën përpara se t’i vërë flakën trupit të tij, ne duhet ta bëjmë punën tonë shpejt”, u citua të ketë thënë ai në televizionin shtetëror.



