
Negociatat mbi garancitë e sigurisë që Ukraina do të merrte nga SHBA-ja dhe Evropa kanë bërë përparim të konsiderueshëm.
“Axios” raporton se një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se administrata Trump është e gatshme t'i ofrojë Ukrainës një garanci bazuar në Nenin 5 të NATO-s, i cili do të miratohet nga Kongresi dhe do të jetë ligjërisht i detyrueshëm.
"Ne duam t'u japim ukrainasve një garanci sigurie që nuk është një çek i bardhë nga njëra anë, por që është mjaftueshëm e fuqishme nga ana tjetër. Ne jemi të gatshëm ta hedhim në votim në Kongres”, tha zyrtari amerikan për Axios.
Neni 5 i NATO-s është parimi themelor i mbrojtjes kolektive.
Ai thotë se një sulm i armatosur kundër një shteti anëtar të NATO-s konsiderohet si sulm kundër të gjithë anëtarëve, dhe secili shtet angazhohet ta ndihmojë vendin e sulmuar.



