Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar një nismë të re për kufizimin e përdorimit të mediave sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç. Në një video të publikuar mëngjesin e së mërkurës, ai theksoi se bëhet fjalë për një vendim “të vështirë, por të domosdoshëm”.
Sipas tij, rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi gjatë verës së vitit 2026, ndërsa zbatimi i plotë do të nisë më 1 janar 2027. Mitsotakis nënvizoi se Greqia synon të jetë ndër vendet e para që ndërmarrin një hap të tillë për mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.
Në kuadër të kësaj nisme, është paralajmëruar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp në orën 13:00, ku do të prezantohet kuadri i ri rregullator.
Në këtë dalje pritet të marrin pjesë ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, ministri i Qeverisjes Dixhitale dhe Inteligjencës Artificiale, Dimitris Papastergiou, si dhe ministri i Shtetit, Akis Skertsos.
Autoritetet greke e konsiderojnë këtë masë si një hap të rëndësishëm për të adresuar ndikimet e rrjeteve sociale tek të rinjtë dhe për të forcuar mbrojtjen e tyre në mjedisin online.



