Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Piacenzës në Itali, ku një grua 56-vjeçare me origjinë nga Maqedonia u gjet e vrarë në banesën e saj, ndërsa bashkëshorti i saj është arrestuar si autori i dyshuar i krimit.
Viktima, Milena Vitanov, u gjet pa shenja jete në apartamentin ku jetonte me familjen në periferi të qytetit. Sipas mediave italiane, ishte vetë bashkëshorti, Hako Vitanov, ai që telefonoi shërbimet e emergjencës rreth orës 15:30, duke deklaruar: “Ejani, kam vrarë gruan time”.

Pas telefonatës, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, karabinierët dhe zjarrfikësit. Për shkak se dera e apartamentit ishte e mbyllur dhe ekzistonte frika se autori mund të ishte ende brenda dhe i armatosur, forcat e rendit hynë në banesë përmes një dritareje.
Brenda apartamentit, ata gjetën trupin e pajetë të 56-vjeçares në dhomën e ndenjes, me plagë të rënda dhe një thikë pranë trupit. Hetimet paraprake dyshojnë se krimi është kryer me armë të ftohtë dhe mund të ketë ardhur pas konflikteve të vazhdueshme familjare.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar ishte larguar nga banesa. Karabinierët nisën menjëherë kërkimet dhe e gjetën disa orë më vonë pranë varrezave të Piacenzës, ku dyshohet se po tentonte t’i jepte fund jetës duke prerë damarët e duarve. Ai u ndalua në kohë, mori ndihmë mjekësore dhe më pas u shoqërua në polici për t’u marrë në pyetje.
Sipas hetimeve, para krimit burri kishte dërguar dy nga katër fëmijët e çiftit te një i afërm që banonte pranë tyre. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes tragjike.



