Franca u përfshi nga përleshje masive midis policisë dhe protestuesve në qytete të ndryshme, ndërsa mijëra persona dolën në rrugë në disa nga demonstratat më të dhunshme që vendi ka parë vitet e fundit, për shkak të rritjes së kostove të jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.
Deri në mesditë, rreth 272 persona u arrestuan pas incidenteve të dhunshme, në Paris, Marsejë, Rennes, Tuluzë dhe Angers.
Demonstrata kryesore në Paris filloi në orën 14:30, shoqëruar me përleshje midis protestuesve dhe policisë në qendër të qytetit.
Ky marshim, i cili përfshin protestues të “Jelekverdhëve”, nxënës shkolle dhe studentë, si dhe aktivistë për klimën dhe organizata antifashiste, shkoi drejt Place de Clichy më në veri.
Më herët, tensionet u ndezën midis protestuesve dhe policisë në sheshin qendror të kryeqytetit, Place de la Republique. Policia përdori vazhdimisht gaz lotsjellës kundër disa qindra protestuesve, shumica e të cilëve mbanin maska dhe ishin të veshur me të zeza, ndërsa disa prej tyre hodhën fishekzjarre.
Në Marsejë, dhjetëra protestues sulmuan bashkinë dhe hapën derën me forcë, duke bërtitur: “Ky është Revolucioni, ne po marrim Bastijën.”
Ata u shpërndanë më pas nga oficerët e policisë të cilët ishin vendosur përpara bashkisë për të parandaluar hyrjen.
Protestuesit u përpoqën të sulmonin një stacion policie në qytet dhe plaçkitën dyqane, sipas Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë në Lion, zyra e turizmit të qytetit u vu në flakë.



