
Autoritetet turke i kanë ndaluar ankorimin në Kusadasi një anijeje turistike që mbante 2000 pasagjerë LGBTQ+, duke folur për sjellje që janë “Të papajtueshme me strukturën e shoqërisë sonë dhe vlerat tona morale”.
Anija “Scarlet Lady” e Virgin Voyages u nis nga Athina më 5 korrik, për një udhëtim epik 10-ditor vetëm për gej, siç u njoftua nga Atlantis, një kompani amerikane që organizon kroçera dhe pushime për njerëzit në komunitetin LGBTQ+.
Anija turistike pritej të ankorohej në portin turk të Kusadasit më 7 korrik dhe më pas të nisej për në Stamboll.
Megjithatë, autoritetet në provincën Aydin të Turqisë, ku ndodhet Kusadasi, njoftuan se mbërritja e anijes ishte anuluar pasi shkaktoi shqetësim të madh tek qytetarët.
“Nuk ka absolutisht asnjë mundësi që grupi në fjalë të vizitojë provincën tonë për një ngjarje të kësaj natyre”, theksuan ata në deklaratë, duke iu referuar grupeve të njohura për sjellje që janë në kundërshtim me strukturën e shoqërisë turke dhe vlerat morale.
Atlantis ka operuar 13 kroçera për homoseksualë në Stamboll dhe Kusadasi gjatë 25 viteve të fundit, tha Rich Campbell, president dhe CEO i Atlantis Events.
Midis pasagjerëve ishte aktorja dhe këngëtarja fituese e çmimit Tony, Patti LuPone, e cila ishte planifikuar të këndonte në një aktivitet në anije.
“Një anije, një anije e bukur, plot me homoseksualë... Dhe unë. Ia mohuan hyrjen në Turqi thjesht për shkak se kush ishte në anije”, shkroi ajo në Instagram.
Campbell i tha CNN se ishte i tronditur nga vendimi dhe tha se ishte hera e parë në historinë 36-vjeçare të Atlantis që iu është thënë shprehimisht se nuk mund të ankorohen për shkak të asaj që përfaqësojnë.
Anija tani do të ndalet në Kajro, Egjipt dhe në Kretë të Greqisë, në vend të Turqisë.
Homoseksualiteti nuk është një vepër penale në Turqi, por homofobia është e përhapur, duke arritur edhe në nivelet më të larta të qeverisë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka përshkruar personat LGBTQ+ si “pervers” dhe një kërcënim për familjen tradicionale.



