Një ekip ndërkombëtar paleontologësh ka bërë një zbulim të jashtëzakonshëm në Patagoni, ku kanë gjetur një xhep fosilesh 70 milionë vjeçare me kocka dhe vezë të dinosaurit të llojit Bonapartenykus ultimus.
Ky dinosaur, i cili i përket familjes misterioze të Alvarezsauridae, kishte një pamje të ngjashme me zogjtë dhe ishte një nga më të mëdhenjtë e llojit të tij, me një gjatësi që arrinte rreth 2.6 metra.
Ky zbulim përfaqëson gjithashtu mbijetuesin më të fundit të kësaj familjeje nga Gondwana, masa gjigante tokësore jugore e epokës Mezozoike.
Gjetjet e bujshme janë publikuar në revistën shkencore Cretaceous Research dhe përfshijnë një skelet të pjesshëm, dy vezë të ruajtura në mënyrë të jashtëzakonshme dhe një surprizë mikrostrukturore ende të fshehur brenda guaskës së tyre.
Shkencëtarët sqarojnë se dy vezët u gjetën të pozicionuara direkt pranë kockave të gjymtyrëve të pasme të kafshës, çka tregon se bëhet fjalë për vezë të palindura ende në momentin kur dinosauri ngordhi.
Deklarata e ekspertëve: Dr. Martin Kundrát, bashkëautor i studimit dhe ekspert i dinosaurëve në Universitetin Uppsala në Suedi, konfirmoi se kjo është hera e parë në histori që vezët e një alvarezsauridi gjenden kaq pranë mbetjeve të veta skeletore, duke hapur dritare të reja kërkimi mbi mënyrën se si riprodhoheshin këto krijesa ekzotike.
Vezët mund të kenë qenë brenda ovidukteve të femrës kur ajo vdiq, megjithëse kjo mbetet një mundësi dhe jo një siguri. Fragmente të shumta të guaskës së vezës të gjetura më vonë tregojnë një histori paksa të ndryshme.
Ato tregojnë resorbim të konsiderueshëm të kalcitit të shtresës së brendshme të guaskës, gjë që sugjeron se të paktën disa nga vezët u inkubuan dhe mbajtën embrione në një fazë të avancuar të zhvillimit.
Bonapartenykus ultimus ishte rreth 2.6 metra i gjatë dhe konsiderohet një nga anëtarët më të mëdhenj të familjes së alvarezsauridëve.
Ai shihet gjithashtu si anëtari i fundit i njohur i këtij grupi që jetoi në Gondwana, masa e madhe tokësore që gjatë epokës mezozoike përfshinte territoret e Amerikës së Jugut, Afrikës, Antarktidës, Australisë dhe Indisë së sotme.
Zbulimi i ri është veçanërisht i rëndësishëm për të kuptuar evolucionin e këtij grupi në Amerikën e Jugut.



