Fermerët grekë kanë bllokuar autostradën kryesore Athinë–Selanik me traktorë dhe makineri bujqësore, duke ndarë në dysh boshtin më të rëndësishëm rrugor të vendit. Protesta vjen mes rritjes së kostove të prodhimit, çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore dhe vonesave të pagesave nga qeveria.
Sipas Euro News, lëvizja erdhi menjëherë pasi autoritetet greke arrestuan disa persona në një skandal të gjerë mashtrimi, ku u zbulua se miliona euro subvencione bujqësore të BE-së janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme nga OPEKEPE, institucioni përgjegjës për fondet bujqësore.
Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), 324 persona rezultojnë të kenë marrë padrejtësisht 19.6 milionë euro, duke shkaktuar indinjatë masive te fermerët.
Të hënën në mëngjes, segmentet pranë Nikaia-s në Larisa, një pikë nevralgjike në Thesali – mbetën të mbyllura, ndërsa policia e trafikut devijoi qarkullimin në rrugë alternative për të shmangur paralizimin e trafikut kombëtar. Traktorët u rreshtuan në dy anët e autostradës, duke forcuar bllokadën.
Federata e Shoqatave Bujqësore njoftoi se protestat do të zgjerohen edhe më tej, me një bllokadë të re të planifikuar në nyjen Megalochori, ndërsa fermerët e Trikallas do të protestojnë të mërkurën. Masa të ngjashme pritet të zhvillohen edhe në lindje të Selanikut.
Dita e parë e mobilizimit, e diel, u shoqërua me tensione të forta. Në fshatrat Nikaia dhe Platykampos, fermerët tentuan të lëviznin drejt autostradës dhe u përplasën me policinë e trazirave.
Sipas njoftimeve zyrtare, dy fermerë dhe dy policë u plagosën gjatë përleshjeve. Policia raportoi dy arrestime në Platykampos dhe një të tretë në nyjen e Nikaias për dhunë ndaj zyrtarëve dhe rezistencë.
Fermerët e bllokadës u mblodhën sot jashtë Gjykatës së Larisës, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar.
Meqenëse qeveria greke nuk ka dhënë ende një deklaratë apo garanci konkrete për kërkesat e fermerëve, protestat pritet të përhapen në të gjithë vendin derisa autoritetet të reagojnë. Bllokada e rrugëve është një taktikë e përdorur shpesh nga fermerët grekë për të ushtruar presion ndaj qeverisë.



