Të paktën 400 persona janë vrarë në një sulm ajror pakistanez në Afganistan. Viktimat u regjistruan në një spital rehabilitimi nga droga në Kabul.
Pakistani ka mohuar se ka shënjestruar qëllimisht objektin e kujdesit shëndetësor. Në një deklaratë në X, Ministria e Informacionit dhe Transmetimit e Pakistanit tha se sulmet "kishin shënjestër saktësisht instalimet ushtarake dhe infrastrukturën e mbështetjes terroriste, duke përfshirë ruajtjen e pajisjeve teknike dhe ruajtjen e municioneve të talebanëve afganë".
Sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor po shtohen në mbarë botën.
Më 14 mars, një sulm ajror izraelit goditi një objekt të kujdesit shëndetësor në Liban, duke vrarë 12 mjekë, infermierë dhe ndihmës mjekësorë. Sulmi e çoi numrin e punonjësve të kujdesit shëndetësor të vrarë në Liban në ditët e fundit në 31.
Që nga fillimi i marsit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka verifikuar 27 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor vetëm në Liban, ndërsa sulmet izraelite në Liban dhe operacionet e përbashkëta SHBA-Izrael në Iran janë intensifikuar.
Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) dhe OBSH i dënuan këto sulme si shkelje të ligjit ndërkombëtar.
"Ligjet e luftës" për mbrojtjen e spitaleve
E drejta ndërkombëtare humanitare përmban rregulla të hollësishme për të mbrojtur personelin mjekësor, objektet, të sëmurët dhe të plagosurit gjatë konfliktit të armatosur.
Sipas këtyre "ligjeve të luftës":
• personeli mjekësor, përfshirë mjekët, infermierët dhe paramedikët, duhet të respektohet dhe të mbrohet gjatë kryerjes së detyrave të tyre
• ekzistojnë mbrojtje të veçanta për ambulancat dhe transportin e përdorur ekskluzivisht për qëllime mjekësore
• këto mbrojtje shtrihen tek të plagosurit dhe të sëmurët nën kujdesin e tyre. Kjo përfshin luftëtarët armik që kërkojnë trajtim dhe nuk marrin më pjesë në armiqësi
• organizatat humanitare të paanshme duhet të lejohen të ofrojnë ndihmë mjekësore. Pëlqimi për punën e tyre nuk mund të refuzohet në mënyrë arbitrare
• objektet mjekësore duhet të shfaqin emblemat dalluese mbrojtëse të Kryqit të Kuq, Gjysmëhënës së Kuqe ose Kristalit të Kuq. Personeli mjekësor duhet të mbajë identifikim dhe byzylykë me këto emblema
• keqpërdorimi i këtyre simboleve për të mbrojtur operacionet ushtarake është i ndaluar. Kjo mund të përbëjë pabesi, një lloj mashtrimi i qëllimshëm që është një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar
• edhe sulmi i qëllimshëm i personelit mjekësor ose objekteve që shfaqin këto emblema mund të përbëjë krim lufte.
Rregullat e luftës
Ligjet që mbrojnë shërbimet mjekësore në luftë dolën në përgjigje të vuajtjeve të mëdha të dëshmuara në konfliktet e shekujve XIX dhe XX.
Traktati i parë që mbron ushtarët e plagosur dhe personelin mjekësor daton që nga viti 1864, kur shtetet miratuan Konventën origjinale të Gjenevës.
Sot, Konventat e Gjenevës të vitit 1949, Protokollet e tyre Shtesë, së bashku me një sërë të drejtash ndërkombëtare zakonore, formojnë një kornizë ligjore pothuajse universal, e cila vlen për të gjitha palët në konflikt. Kjo përfshin grupet e armatosura jo-shtetërore.
Këto rregulla kërkojnë që palët ndërluftuese të respektojnë dhe mbrojnë personelin mjekësor, objektet dhe të plagosurit dhe të sëmurët në të gjitha rrethanat.
Pse po rriten sulmet ndaj spitaleve?
Në janar, Médecins Sans Frontières (MSF) raportuan se sulmet ndaj objekteve dhe personelit mjekësor kishin arritur nivele të papara në të gjithë botën. Vetëm në vitin 2025, pati 1 348 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor, dyfishi i numrit të raportuar në vitin 2024.
Vetë ligji nuk ka ndryshuar. Por lufta ka ndryshuar. Konfliktet e fundit në Sudanin e Jugut, Ukrainë, Gaza, Iran dhe Liban po zhvillohen në mjedise urbane me popullsi të dendur. Grupet e armatosura veprojnë brenda mjediseve komplekse civile, shpesh pranë spitaleve dhe klinikave.
Kjo ka ndryshuar narrativën e përdorur nga disa palë ndërluftuese. Ato që dikur përshkruheshin si "sulme të gabuara" tani justifikohen shpesh me arsyetimin e domosdoshmërisë ushtarake. Shtetet shpesh pretendojnë se kryengritësit po shfrytëzojnë spitalet ose ambulancat për të fituar avantazh ushtarak.
Izraeli, për shembull, ka akuzuar Hezbollahun dhe Hamasin për përdorimin e infrastrukturës mjekësore për qëllime ushtarake.
Me shkurtime nga "The Conversation"



