Gjermania po planifikon të ndalojë financimin shtetëror për shërbimet e pavarura të këshillimit ligjor falas për azilkërkuesit.
Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, arsyeja kryesore është gjendja e vështirë e buxhetit federal.
Qeveria thotë se duhet të bëjë “prioritizim” të shpenzimeve, dhe pas shqyrtimit të opsioneve të ndryshme, ka vendosur që këto shërbime këshillimore mund të shkurtohen si pjesë e kursimeve.
Këto shërbime u japin azilkërkuesve informacion dhe udhëzim gjatë procesit të aplikimit për azil, si funksionon procedura, çfarë dokumentesh duhen, dhe cilat janë të drejtat e tyre.
Vitin e kaluar, rreth 67.687 azilkërkues kanë përfituar nga ky këshillim falas përmes qendrave të pavarura.
Vendimi ka ngjallur reagime dhe kritika të forta në Gjermani. Opozita, sidomos Partia e Gjelbër, e kundërshton këtë hap. Ata thonë se heqja e financimit e dobëson sistemin e azilit dhe e bën më të vështirë për azilkërkuesit të kuptojnë procedurat ligjore.
Kritikët theksojnë mungesën e transparencës, pasi raporti i plotë i ministrisë ende nuk është publikuar. Sipas ministrisë, raporti është ende në përgatitje dhe pritet të publikohet në gjysmën e dytë të vitit 2026.
Përfaqësues të Partisë së Gjelbër, si Filiz Polat, thonë se vendime të tilla duhet të bazohen në të dhëna të qarta dhe publike.
Ata argumentojnë se këshillimi ligjor falas është i domosdoshëm që azilkërkuesit të kuptojnë të drejtat dhe hapat që duhet të ndjekin në procesin e azilit.



