Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Medlir Mema, për Forumin e Paqes në Paris thotë se fokusi i tij ishte e ardhmja e rendit ndërkombëtar.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se vëmendja u përqendrua te konflikti Rusi-Ukrainë dhe SHBA-Iran, të cilat kanë ndikim në aspektin gjeopolitik.
Natyra e samitit është jo qeveritare, edhe pse ka të pranishëm përfaqësuesit më të rëndësishëm të politikës. Kjo vjen edhe pas takimit të G7-ës dhe të gjitha këto janë të lidhura së bashku. U diskutua e ardhmja e rendit ndërkombëtar, nëse do të kemi një shpërbërje të këtij rendi dhe se si mund ta menaxhojmë këtë tranzicion.
Çështja e dytë lidhet dhe me sigurinë e fëmijëve dhe një çështje tjetër ka të bëjë me inteligjencën artificiale, për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë për botën, por edhe për fëmijët. Konflikti kryesor është Rusi-Ukrainë dhe lufta SHBA-Iran, e cila ka kaluar në një fazë të pasigurt mbi çfarë po ndodh.
Këto janë dy konfliktet kryesore dhe ndikimi kryesor i këtyre dy konflikteve ka qenë në tregun e naftës dhe gazit dhe që ndikon në çmimet e shportës. Ka dhe ndikim mbi aspektin gjeopolitik. Sa i takon zhvillimeve politike të brendshme në Hungari dhe Serbi janë më pak domethënëse për vendin tonë. Për ne ka ndikim, dobësimi i rolit të europianëve dhe amerikanëve në rajon.
Serbia pas zgjedhjeve do të ketë zhvillime më domethënëse për ne. Fatkeqësisht qeverisja e re e Serbisë nuk premton ndonjë ndryshim radikal ndaj qasjes ndaj Kosovës, por mund të bien nën trysninë e BE dhe këtu është roli i Shqipërisë dhe Kosovës, për të ndikuar më shumë institucionet europiane.
